Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme

, 30.03.2011




Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxha, ka raportuar sot në Komisionin për Punë të Jashtme lidhur me buxhetin për ministrinë që e udhëheq, e që parashihet në Projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës, i cili pritet të miratohet ditën e enjte. Ai ka sqaruar se nga 26 milionë euro, sa kishte kërkuar nga MPJ, asaj sivjet planifikohet t’i ndahen 18 milionë e 365mijë euro. Ai ka sqaruar se shkurtimet buxhetore për këtë ministri ( që përfshin edhe Shërbimin diplomatik dhe konsullor të Kosovës) janë bërë kryesisht nga heqja dorë për blerjen e ambasadave ( pos për një parakontrate për blerjen e godinës së Ambasadës së Republikës së Kosovës në Bruksel) dhe rreth një milion euro më pak për mallra dhe shërbime. Ai është shprehur optimist se me buxhetin e paraparë MPJ-ja do të arrijë t’i kryejë punët e mëdha që e presin, por gjithsesi është shprehur se në të mirë të njohjeve më të shumta për Kosovën është dashur të parashiheshin mjete më të shumta për evokim dhe lobim. Ministri ka deklaruar se ministria, të cilën e udhëheq, është duke e përgatitur Strategjinë për afirmimin ndërkombëtar të Kosovës, e cila do tu bëhet e ditur edhe anëtarëve të këtij komisioni. Hoxhaj, ndërkaq, duke e quajtur politiken e jashtme të vendit si interes shtetëror, është shprehur i gatshëm që në çdo moment të bashkëpunojë me Komisionin parlamentar dhe me të interesuar të tjerë për politikë të jashtme të suksesshme.

Kryetari i komisionit, Albin Kurti, i cili e ka drejtuar takimin, i ka vlerësuar të pakta mjetet buxhetore për MPJ-në, përfshirjen e mangët të politikave të jashtme në planin qeverisë të ekzekutivit të vendit, si dhe specifikim të pamjaftueshëm të buxhetit të MPJ-së.

Edhe anëtarët e tjerë të Komisionit e kanë vlerësuar të pamjaftueshëm buxhetin për këtë ministri, duke kërkuar paga më të dinjitetshme për pjesëtarët Shërbimit diplomatik dhe konsullor të Kosovës, si dhe për stafin tjetër profesional të kësaj ministrie. Të gjithë, ndërkaq, janë pajtuar se pos pagave fikse për ambasadorët duhet të merret parasysh edhe kostoja e jetës në secilin shtet ku funksionojnë ambasadat tona.

Po në këtë mbledhje Komisioni ka miratuar planin dhe programin e punës për vitin 2011. i cili përfshin punët kryesore të Komisionit, si dhe afatin e përfundimit të tyre. Pos Shqyrtimit të Projektligjit për marrëveshjet ndërkombëtare, pani i punës së Konmisionit për Punë të Jashtme parasheh diskutim për inicimin e një marrëveshjeje mes Kosovës e Shqipërisë për përfaqësimin reciprok, shqyrtimin e Raportit të Ministrit të Punëve të Jashtme rreth njohjeve të reja, kontakte të vazhdueshme me misionet diplomatike në Kosovë etj.

Anëtarët e Komisionit e kanë vlerësuar të thukët plan-programin e punës dhe duke e plotësuar me ndonjë detyrë shtesë edhe e kanë miratuar atë.
Nga mbledhja e  Komisionit për Punë të Jashtme