Lajmet e fundit

Nga seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës

, 07.04.2011




Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese se zgjedhja e Presidentit të Kosovës në mbledhjen e mbajtur më 22 shkurt ka qenë antikushtetuese, sot në një mbledhje të jashtëzakonshme, Kuvendi i Kosovës përsëri procedoi zgjedhjen e Presidentit.

Në hapje të punimeve, kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, i njoftoi deputetët se sipas nenit 86 të Kushtetutës së Kosovës, dhe nenit 27 të Rregullores së Punës së Kuvendit mund të procedohet me rendin e ditës.

Ai në vijim njoftoi se janë mbledhur 41 nënshkrime nga deputetët për të nominuarën për Presidente, znj. Atifete Jahjaga, përkatësisht 31 për kundërkandidaten, znj. Suzan Novobërdaliu.

Propozimin e të nominuarave për Presidente, e bëri Adem Grabovci, kryetar i Grupit Parlamentarë të PDK-së. Më pas, kreu i kuvendit i propozoi anëtarët e Komisionit për Mandate Imunitete dhe Rregullore të Kuvendit. Ky Komision, në përbërje të: Armend Zemaj (LDK), kryetar i këtij Komisioni, Behar Selimi (PDK), zv.kryetar dhe anëtarët: Albulena Haxhiu (VV), Ardian Gjini (AAK), Ibrahim Makolli (AKR), Jasmina Zhivkoviç (SLS) dhe Mufera Shinik (Gjashtë Plus), u votuan unanimisht nga deputetët.

Më pas, kryetarët e Grupeve Parlamentare bënë deklarimet në emër të grupeve që përfaqësonin. Me këtë rast, në emër të GP të PDK-së, Adem Grabovci tha se e përkrahin kandidaturën e znj. Atifete Jahjaga, si rezultat i marrëveshjes së djeshme të tre liderëve (Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe Behgjet Pacolli), duke e konsideruar zgjedhjen e saj si Presidente konsensuale. Në emër të GP të LDK-së, mbështetjen për të nominuarën Jahjaga, e deklaroi Vjosa Osmani, në emër të AKR-së, Ibrahim Makolli, në emër të SLS-së, Jasmina Zhivkoviç dhe në emër të Grupit Parlamentar Gjashtë Plus, Mufera Shinik.

Duke konsideruar se kandidatja Atifete Jahjaga, nuk është mishërim i vullnetit të popullit, Visar Ymeri (VV), tha se nuk e përkrahin kandidaturën e saj për Presidente dhe deklaroi se gjatë votimit do të lëshojnë sallën. Ndërkaq, Ardian Gjini në emër të AAK-së, deklaroi se gjatë votimit do të qëndrojnë në sallë duke mos u deklaruar për përkrahje. Përkrahje për të nominuarën Jahjaga, deklaruan edhe përfaqësuesit e SLS-së dhe ata të grupit Gjashtë Plus.

Pas këtyre deklarimeve, deputetët filluan votimin e rundit të parë, me ç’rast Komisioni konstatoi këtë rezultat: 80 vota për kandidaten Atifete Jahjaga, 10 vota për kandidaten Suzan Novobërdaliu dhe 10 vota u cilësuan të pavlefshme. Sipas këtij rezultati, znj. Atifete Jahjaga, në raundin e parë të votimit u zgjodh Presidente e Republikës së Kosovës, e cila menjëherë pas kësaj dha betimin para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Presidentja e posa zgjedhur iu drejtua deputetëve, e cila në mes tjerash nënvizoi: “Zgjedhja ime shpreh qëndrimin konsensual të partive politike për kapërcimin e krizës politike në vend”. Ajo tutje tha se asnjëherë në jetën e saj nuk ka menduar për një pozitë të tillë, por tha se gjithë herë ka qenë e gatshme t’i shërbejë vendit.

Duke folur për të ardhmen e vendit dhe rolin e saj si Presidente, ajo u shpreh se ka vullnet dhe besim se do të ndodhin ndryshime pozitive. Presidentja Jahjaga, në vijim tha se do të jetë në mbrojtje të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës.

Në mbledhjen e sotme deputetët miratuan edhe një Rezolutë në mbështetje të Memorandumit të Marrëveshjes në mes të z. Behgjet Pacolli, z. Isa Mustafa dhe të kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, të nënshkruar dje.
Nga seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës