Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa

, 08.04.2011




Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Safete Hadërgjonaj, kryetare e komisionit, ka shqyrtuar dhe përkrahur një varg raportesh të agjensioneve të pavarura, si dhe draft-planin e punës së vetë komisionit.

Komisioni i dha përkrahje raportit financiar të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore (KKTK) për periudhën mars 2009 - 2010, të cilin e prezantoi kryetarja, Edi Shukriu. Duke e proceduar tutje për shqyrtim dhe miratim në instancat e tjera të Kuvendit, komisioni kërkoi që raportit t’i bashkëngjitet edhe një raport shtesë financiar, më i detajuar.

Duke e cilësuar si raport të hartuar mirë dhe të detajuar, anëtarët e komisionit përkrahën raportin financiar të Komisionit të Pavarur për Media për vitin 2010, i cili u prezantua nga nënkryetari i Këshillit, Daut Demaku.

Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi, prezantoi raportin e shpenzimeve të Kuvendit për vitin 2010, i cili u miratua nga anëtarët e komisionit dhe u procedua për shqyrtim të mëtutjeshëm (miratim) në Kuvend.
Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa