Lajmet e fundit

Nga dita e dytë e vizitës së kryeparlamentarit Krasniqi në Bruksel

, 14.04.2011




Në kuadër të takimit të përbashkët parlamentar të organizuar nga Parlamenti Evropian dhe Kuvendi Kombëtar i Hungarisë, me temën “Ballkani Perëndimor – drejt një Evrope më të integruar”, e cila po mbahet në Bruksel, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, duke e marrë fjalën në seancën plenare të ditës së djeshme, mes tjerash tha se pas zgjedhjeve të përgjithshme, Kosova i ka konsoliduar institucionet dhe stabilitetin politik. Me gjithë vështirësitë e mëdha të një ekonomie të shkatërruar, theksoi Krasniqi, Kosova ka shënuar rritje ekonomike dhe ka përmirësuar mirëqenien e qytetarëve.

“Ne e kemi përmirësuar dukshëm infrastrukturën e dëmtuar rëndë dhe kemi arritur rindërtimin fizik të vendit. Aktualisht po realizojmë projektin e madh të autostradës, që lidh bregdetin e Shqipërisë me Kosovën, me Serbinë dhe më tej. Kemi ndërtuar gjithashtu një rrjet të tërë të telekomunikimeve”, tha kryetari i Kuvendit të Kosovës.

Krasniqi në vazhdim foli për krijimin e kushteve për tërheqjen e investimeve në Kosovë. Ai tha se Kosova ka sanksionuar standarde të larta të mbrojtjes së të drejtave të njeriut e të komuniteteve pakicë dhe po zbaton një politikë të drejtësisë shoqërore e të barazisë së qytetarëve.

“Ne jemi të angazhuar për bashkëpunim dhe fqinjësi të mirë, për pajtim dhe paqe dhe për integrimin evropian. Kosova sot ndjen nevojën e ngutshme për ndihmën e BE-së për liberalizim të vizave dhe integrim euroatlantik”, potencoi Krasniqi.

Kryetari i Kuvendit, zoti Jakup Krasniqi dhe delegacioni që ai kryeson, mbrëmë u takuan edhe me eurodeputetët, Doris Pack dhe Eduard Kukan, ky i fundit, njëherësh edhe kryetar i Delegacionit të Parlamentit Evropian për marrëdhënie me Ballkanin Perëndimor. Kryetari Krasniqi i njoftoi ata me zhvillimet në Kosovë dhe parashtroi edhe njëherë kërkesën për qartësim të hapave që vendi ynë duhet të ndjekë për liberalizimin e vizave dhe procesin e integrimit evropian.

Eurodeputetët, pasi vlerësuan si të padrejtë vonesën e liberalizimit të vizave për Kosovën, premtuan angazhim për të përshpejtuar këtë proces të rëndësishëm për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës.

Në seancën e sotme plenare, zoti Krasniqi sërish e mori fjalën dhe midis tjerash tha: “Kosova edhe pse nuk është pjesë e BE-së, ka një prezencë të fuqishme civile dhe ushtarake evropiane, prandaj mund të thuhet se tregimi i suksesshëm për Kosovën është rezultat i përbashkët”. Ai shtoi se motivi i qytetarëve të Kosovës për integrim në BE duhet të shndërrohet në energji aktive dhe potencial veprues për ëndrrën evropiane të Kosovës. Por ky potencial, sidomos i rinisë, që përbën shumicën e popullsisë në Kosovë, vazhdoi Krasniqi, duhet ndihmuar që të funksionalizohet. Në këtë kuptim, ai theksoi se Kosovës i duhet, jo vetëm deklarimi premtues për perspektivën evropiane, por edhe një qartësi e hapave që duhet ndjekur dhe ndihmë konkrete për proceset integruese.

“Lëvizja e lirë u duhet qytetarëve tanë që të mos mbahen të izoluar. Ne nuk kërkojmë liberalizimin e vizave pa përmbushjen e kritereve, prandaj po bëjmë përpjekjet për të cilat fola dje në Grupin e Punës. Për ne paraqitet si nevojë e ngutshme Strategjia e liberalizimit të vizave”, theksoi kreu i legjislativit të Kosovës.

Kryetari Krasniqi vlerësoi se Kosova po dëmtohet shumë për faktin që pesë vende të BE-së nuk e kanë njohur ende shtetësinë e saj. “Ne u bëjmë thirrje atyre që ta njohin Kosovën, që ajo të mos mbetet peng i mosnjohjes dhe që të mund të ecim edhe ne përkrah fqinjëve tanë drejt integrimit evropian dhe prosperitetit të përgjithshëm”, theksoi ai.

Takimi i përbashkët ndërparlamentar sot përfundoi punimet, pas shumë diskutimesh, në të cilat disa herë u theksua nevoja për të ndihmuar Kosovën në lëvizjen e lirë dhe në proceset integruese. Takimi u vlerësua si shumë frytdhënës dhe i suksesshëm.

Kryeministri hungarez, i cili kryeson Këshillin Evropian, tha se zgjerimi i BE-së duhet vënë në rend të ditës, kurse kryetari i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barosso, theksoi nevojën e reformave të ngutshme në vendet e Ballkanit Perëndimor, afër të të cilave, siç tha ai, duhet të qëndrojnë të gjitha vendet anëtare të BE-së.

Kryetari Krasniqi, i cili po shoqërohet nga kryetari i Komisionit parlamentar të Integrimeve Evropiane, zoti Lutfi Haziri, shefi i kabinetit, zoti Mehmet Hajrizi dhe këshilltari për protokoll e marrëdhënie me jashtë, zoti Skënder Reçica, sot pas dite do të takohet me kryetarin e Parlamentit të Belgjikës, zotin André Flahaut.
Nga dita e dytë e vizitës së kryeparlamentarit Krasniqi në Bruksel