Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Legjislacion

, 18.04.2011




Komisioni për Legjislacion i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Arben Gashi, kryetar, shqyrtoi dhe përkrahu raportin e Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK) për vitin 2010, si dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për noterinë.

Një prezantim përmbledhës të raportit të AKK-së, para anëtarëve të komisionit, e bëri drejtori i saj, Hasan Preteni, i cili potencoi në shifra punën e institucionit që ai udhëheq, gjatë vitit 2010, duke e vlerësuar progresin që është arritur në këtë fushë në aspektin e legjislacionit që e ngarkon agjencinë, si dhe në aktivitetet për riemërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Preteni theksoi se gjatë vitit 2010 është vërejtur një shtim i besimit të qytetarëve tek Agjencia Kundër Korrupsionit, me 430 raste të kontaktuara përmes formave të ndryshme, në bazë të të cilave agjencia ka gjetur bazën për fillimin e hetimeve paraprake në 139 raste, nga të cilat 29 kanë përfunduar në prokurori.

Në vazhdim, Preteni foli për bashkëpunimin me prokurorinë dhe me institucionet e mekanizmat e tjerë që në fushëveprimtari të tyre e kanë luftën kundër korrupsionit. Ai, gjithashtu, potencoi edhe raportet e mira me mediat e shoqërinë civile, vizitat nëpër komuna dhe njoftimet për qytetarët, në kuadër të misionit të Agjencisë, i cili, sipas Hasan Pretenit, vazhdon të mbetet i pandryshuar: edukimi, parandalimi dhe luftimi i korrupsionit.

Shqyrtimi i raportit të Agjencisë Kundër Korrupsionit u shoqërua me diskutime të gjera nga ana e anëtarëve të komisionit. Ata ngritën mjaft çështje që lidhen punën e kësaj agjencie dhe luftën kundër korrupsionit, si dhe adresuan një varg pyetjesh për drejtorin Preteni. Deputetët shtruan nevojën e plotësim-ndryshimit të disa ligjeve të kësaj lëmie dhe nxjerrjen e ligjeve të reja, të cilat do ta përmirësonin, parasëgjithash, fushën e prokurimit publik.

Gjatë diskutimeve, raporti mori vlerësime pozitive nga anëtarët e komisionit por pati edhe vërejtje.

Raporti u përkrah nga komisioni dhe u procedua për shqyrtim të mëtejmë në Kuvend.
Nga mbledhja e Komisionit për Legjislacion