Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media

, 19.04.2011




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga Idriz Vehapi, kryetar i Komisionit, u shqyrtua Raporti vjetor i Radio Televizionit të Kosovës për vitin 2010. Në mbledhje morën pjesë edhe Rrahman Paçarizi, drejtor i Bordit të RTK-së dhe Sylejman Shaqiri, drejtor i përgjithshëm i këtij institucioni.

Në kuadër të debatit të gjerë anëtarët e Komisionit vlerësuan se RTK-ja ka shënuar një performancë cilësore në aspektin e pavarësisë editoriale dhe të pasurimit të strukturës programore. Në këtë frymë, anëtarët e komisionit inkurajojnë punonjësit e RTK-së që edhe më tutje të angazhohen për integritet e pavarësi editoriale, si një faktor i rëndësishëm drejt një shoqërie të shëndosh e demokratike. Fjalë të mira u thanë sidomos për faktin që janë shtuar transmetimet e drejtpërdrejta nga ngjarjet e ndryshme, si dhe debatet për çështje të ditës.

Duke dhënë disa sugjerime për pasurim të mëtejmë të fizionomisë së emisioneve të këtij transmetuesi publik, diskutuesit u angazhuan për ngritje të cilësisë dhe për hapësirë më të madhe kur është fjala për programet edukative e arsimore. U tha se bashkëpunimi me radiotelevizionet e Shqipërisë është një mundësi tjetër për pasurim të programit të këtij transmetuesi. Pati sugjerime edhe për hapësirë më të madhe për emisione në gjuhët e komuniteteve. Ndërkaq, duke ditur se deri tash është vetëm një kanal televiziv, u tha se ky transmetues është e nevojshme të ketë edhe një kanal televiziv për të përmbushur më mirë këtë mision. Aktualisht, si u tha nga udhëheqja e RTK-së, 15 për qind e programit të RTK-së emetohet në gjuhët e komuniteteve të Kosovës.

Në këtë mbledhje u fol edhe për çështjen e sigurimit të kushteve ligjore për pavarësi financiare për RTK-në, si një parakusht i rëndësishëm i pavarësisë editoriale. Nga subjektet ndërkombëtare vështirë po kuptohet se si një institucion mund të jetë i pavarur, nëse nuk është i pavarur financiarisht. Në këtë vështrim Rrahman Paçarizi e Sylejman Shaqiri ishin të mendimit se KPM duhet të ketë një qasje më korrekte ndaj RTK-së, kur është fjala për përqindjen e përfshirjes së reklamave në kuadër të programit. Ata shpreheshin se në këtë aspekt, do të mund të kontribuonte edhe angazhimi i këtij Komisioni, duke theksuar se Rregullorja e tashme e KPM-së është shumë e disfavorshme ndaj RTK-së.

Në përmbyllje të debatit Komisioni përkrahu Raportin për procedim të mëtejmë në Kuvend.
Mbledhja e Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media