Lajmet e fundit

Kryekuvendari Krasniqi mori pjesë në ceremoninë zyrtare me rastin e Ditës së Evropës

, 09.05.2011




Me rastin e Ditës së Evropës, sot, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, është mbajtur një ceremoni zyrtare, në të cilën, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka mbajtur një fjalë rasti.

Kreu i Kuvendit, duke vënë në spikamë përpjekjet e gjata të popullit të Kosovës për integrimin e tij në Evropën e Bashkuar tha:” Sot na ka bashkuar këtu një ditë dhe kremte e rëndësishme, dita e kontinentit tonë, Dita e Evropës së Bashkuar. Ne kemi arsye të shënojmë këtë ditë, jo vetëm pse Kosova i përket Evropës gjeografikisht dhe kulturalisht që nga antika, jo vetëm pse Evropa është këtu prezent, duke ndihmuar proceset demokratike, sigurinë dhe zhvillimin e gjithëmbarshëm, por edhe për aspiratën e madhe dhe shumë të sinqertë që ka vendi dhe populli ynë për t’u integruar në Bashkimin Evropian”. Në vijim të fjalës së tij, kryeparlamentari Krasniqi edhe me këtë rast u bëri thirrje pesë shteteve, anëtare të BE-së që ta njohin Pavarësinë e Republikës së Kosovës. “U bëj thirrje sërish këtyre pesë vendeve mike, Spanjës, Greqisë, Rumanisë, Sllovakisë dhe Qipros, që në emër të miqësisë midis tyre dhe vendit tonë, në emër të miqësisë midis popujve tanë, në emër të drejtësisë së konfirmuar ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës, në emër të paqes e të Evropës së Bashkuar, ta njohin Republikën e Kosovës dhe zgjidhjen e statusit të saj si një rast sui generis, i cili tash tri vite, ka qenë faktor stabiliteti dhe paqeje në rajonin tonë”, tha kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi.
Kryekuvendari Krasniqi mori pjesë në ceremoninë zyrtare me rastin e Ditës së Evropës