Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kuvendit

, 19.05.2011




Deputetët e Kuvendit të Kosovës në mbledhjen e sotme plenare të kryesuar nga kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, (një pjesë të mbledhjes e udhëhoqi Xhavit Haliti, nënkryetarë i Kuvendit), zhvilluan debat parlamentar për masakrën në Burgun e Dubravës sipas kërkesës së deputetit Nait Hasani. Po ashtu, në këtë mbledhje u shqyrtua edhe Raporti financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës, për vitin 2010, dhe disa raporte të agjencioneve që i përgjigjen Kuvendit të Kosovës.

Në fillim të mbledhjes, deputetët shfrytëzuan mundësin që u ofron Rregullorja e Punës së Kuvendit, e cila përcakton të drejtën e tyre për deklarime jashtë rendit të ditës, me ç’rast ngritën një varg çështjesh dhe shqetësimesh.

Në vijim, deputetët u shtruan pyetje parlamentare ministrave të Qeverisë së Kosovës, të cilave iu përgjigjën anëtarët e kabinetit qeveritar: Ferid Agani, Mahir Yagcilar dhe Vlora Çitaku.

Ndërkaq, interesimit të deputetëve nga radhët e Lëvizjes VV lidhur me çmimin e kontratës, të realizuar në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Kompanisë Bektel&Elka, iu përgjigj kryeministri, Hashim Thaçi.

Qeveria e Kosovës, tha kryeministri, respekton punën dhe përkushtimin e Kompanisë Bektel&Elka, për mbarimin me sukses të punëve në Autorrugën Vërmicë-Merdare. Po ashtu, vazhdoi ai, Qeveria respekton kontratën dhe konfidencialitetin që parasheh ajo. “Kontrata finale mund të shihet, por jo të bëhet publike”, tha kryeministri i vendit, dhe vazhdoi se kontrata është shumë e favorshme për popullin dhe Qeverinë e Kosovës. Ai më tej shtoi se transparenca financiare është e plotë, dhe i vie keq për keqinterpretimet tendencioze që po i bëhen nga disa deputetë të VV kësaj kontrate, e cila parqet projektin më të madh në Kosovë.

Mbledhja vazhdoi punën duke shqyrtuar Raportin financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës, për vitin 2010. Lidhur me këtë, ministri i Ministrisë së Financave, Bedri Hamza, duke paraqitur Raportin tha se buxheti i vitit 2010 ka shënuar rritje substanciale dhe tejkalim të të hyrave të parapara. Ai në vijim, në mënyrë të detajuar foli për Raportin duke dhënë shpjegimet e nevojshme për shpenzimet dhe investimet që ka bërë Qeveria sipas parashikimeve paraprake. Pas kësaj, lidhur me Raportin u prononcuan shefat e grupeve parlamentare. Me këtë rast, përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërin e Kosovës (AAK) dhe Lëvizja VetëVendosje (VV), u shprehën se Qeveria ka bërë shpenzime enorme, ndërkaq Raporti është formuluar në mënyrë të përgjithësuar mbi shpenzimet. Pas debatit, Raporti u hodh në votim, dhe me shumicë votash u miratua nga deputetët.

Pas miratimit të këtij Raporti, deputetët zhvilluan debat të gjerë për masakrën në Burgun e Dubravës, sipas kërkesës së deputetit Nait Hasani i përkrahur edhe nga një grup deputetësh.

Iniciuesi i këtij debati në Kuvend, deputeti Nait Hasani (i mbijetuar i kësaj masakre), në fillim të fjalës e tij tha: “Te nderuar deputet, ne mendojmë se masakra në Burgun e Dubravës ka qenë e planifikuar dhe e përgatitur mirë që nga udhëheqja qendrore e Serbisë, deri te gardianët e Burgut të Dubravës”. Këtë konstatim, Hasani e pasqyroi me faktin se Serbia kishte mbledhur të burgosur shqiptarë nga të gjitha burgjet Serbe dhe nga burgjet e Kosovës, dhe i kishte sjellë në Burgun e Dubravës, duke e shndërruar këtë burg në kamp përqëndrimi. “ Sjellja e të burgosurve në Burgun e Dubravës, mua dhe 63 të tjerë nga Burgu i Mitrovicës së Sremit, të tjerët nga Burgu i Nishit, nga Prizreni, Gjilani e Peja, të zënët rob nga Suhareka, Gjilani, Gjakova dhe e tërë Kosova nga data 29 prill 1999 deri në mesin e muajit maj 1999, ishin mish për top” tha Hasani.

Duke sjellur në kujtim momente rrëqethëse të asj kohe, në vijim të fjalës së tij, deputeti Hasni shpjegoi arsyet pse ka kërkuar debat parlamentar në Kuvendin e Kosovës për këtë masakër. “Qëllimi është që të nxjerrim në shesh një masakër të tmerrshme që ka ndodhur në kohen e luftës në Kosovë. Kjo masakër e bërë në fund te shekullit njëzetë s’mund të krahasohet as me krimet e nazi–fashizmit gjatë Luftës së Dytë Botërore, as me Mat’hauzenin e Aushvicin” tha Hasani.

Ai foli edhe për kallëzimin penal që është bërë në Prokurorin e Pejës me 19 janar 2007 nga Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovë (SHBPK) ndaj kryesve të kësaj masakre. Hasani, me këtë rast bëri thirrje që të njëjtën gjë ta bëjë edhe Prokuroria e Kosovës në mënyrë që të ndriçohet kjo masakër. “ Për fatin e profesor Ukshin Hotit, humanistit Hafir Shala dhe aktivistit Xhavit Haziri, e shumë të tjerëve kemi të drejtë të dimë ne dhe familjet e tyre”, tha deputeti Hasani.

Në fund të fjalës së tij, Hasani falënderoi zv.kryeministrin dhe ministrin e Ministrisë së Drejtësisë, Hajredin Kuçin, për ndihmën e dhënë në botimin e librit” Masakra në Burgun e Dubravës” të autorit Ukë Thaçi.

Në debatin për masakrën në Burgun e Dubravës u angazhuan edhe deputet tjerë. Në emër të grupit parlamentarë të LDK-së, foli deputeti Ismet Beqiri. Ai tha se mbështesim çdo iniciativë që ndikon në zbardhjen e kësaj masakre dhe masakrave tjera të kryera nga makineria serbe në Kosovë. Në Dubravë, tha ai, janë masakruar personalitete që kanë qenë nderi i kombit, andaj me këmbëngulje kërkojmë zbardhjen e saj, tha Beqiri.

Ndërkaq, Ahmet Isufi (AAK), tha se sot do duhej të bisedonim për efektet e dënimeve ndaj kryesve të kësaj masakre, deri sa ne ende s’kemi bërë kallxim penal ndaj kryesve të saj.

Njëri ndër përjetuesit e kësaj masakre, deputeti Liburn Aliu (VV), foli se ish të burgosurit edhe pse kanë qenë promotorë i zhvillimeve politike, ata edhe sot përçmohen. Për sa i përket masakrës në Burgun e Dubravës, Aliu tha se është më se e qartë se në të kanë qen të involvuar nga ushtari më i thjeshtë e deri te kreu i shtetit serb.

Ndërkaq, Sabri Hamiti (LDK), kujtoi se krimi s’duhet harruar, as falur atë, por dënuar, tha ai.

Edhe zv.kryeministri dhe ministri i Ministrisë së Drejtësisë, Hajredin Kuçi, shprehu opinionet e tij për masakrën. Duke folur për obligimet shtetërore ndaj kësaj dhe masakrave tjera të bëra në Kosovë, ai tha se qeveria do të bëjë ç’është e mundur për ndriçimin e tyre. Me këtë rast, Kuçi premtoi se memoriali i ngritur në kujtim të të masakruarve në Burgun e Dubravës, e i cili gjendet në hyrje të Burgut të Dubravës, do të vendoset brenda-aty ku edhe ka ndodhur masakra, tha Kuçi.

Për masakrën në Burgun e Dubravës foli edhe kreu i Kuvendit, Jakup Krasniqi.

Për mua, tha ai, debatet janë të domosdoshme, por që nuk duhet të mjaftohemi vetëm me to. Në gjdo fshat e qytet në Kosovë, vijoi Krasniqi, kemi varre të dëshmorëve, martirëve, fëmijëve e pleqve, dhe kryesit e këtyre krimeve kanë emër e mbiemër. Ai bëri thirrje që të ndriçohet çdo masakër në Kosovë, dhe për këtë, kryeparlamentari fajësoi EULEX-in, dhe faktorët tjerë relevant.

EULEx-i shërbehet me aktakuza të ngritura nga regjimi serb, e në anën tjetër nuk është zbardhur as një nga masakrat dhe krimet serbe të kryera në Kosovë, tha kryeparlamentari, dhe shprehu bindjen e tij se kështu nuk vendoset rendi e Ligji.

Kërkojmë nga Prokuroria e Kosovës dhe nga EULEX-i që të merren me krimet serbe të kryera në Kosovë, e jo të ndiqen çlirimtarët, ata që mbrojtën pragun dhe lirin e tyre, tha kreu i Kuvendit.

Në fund të debatit rreth kësaj pike, deputeti Nait Hasani edhe një herë mori fjalën. Ai me këtë rast falënderoi deputetët për angazhimin e tyre duke kërkuar nga ta që të përkrahin rekomandimet e propozuara nga ai. Kërkoi, tha Hasani, që në emër të Kuvendit të Kosovës të bëjmë një rekomandim organeve gjyqësore të përshpejtojnë mekanizmat relevant për zbardhjen e Masakrës së Dubravës, dhe masakrave tjera në Kosovë.

Pas kësaj, deputetët unanimisht përkrahën rekomandimet e bëra nga deputeti Hasani.

Pas kësaj, deputetët vazhduan mbledhjen për të shqyrtuar Propozim Rregulloren për zgjedhjen dhe shkarkimin e Avokatit të Popullit dhe zëvendësve të Avokatit të Popullit. Lidhur me këtë, pas prononcimit të shefave të grupeve parlamentare, Propozim Rregullorja u hodh në votim nga kryesuesi i mbledhjes, me ç’rast u përkrah unanimisht nga deputetët.

Po ashtu, deputetët miratuan edhe propozimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për emërimin e Organit Përzgjedhës të Pavarur, për zgjedhjen e anëtarit në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publikë.

Në vijim të mbledhjes së sotme, deputetët shqyrtuan Raportin vjetor të Rregullatorit për ujëra dhe mbeturina, për vitin 2010. Gjatë deklarimit të tyre, shefat e grupeve parlamentare lidhur me këtë pik të rendit të ditës patën shumë vërejtje, andaj kërkuan që Raporti të kalojë me rekomandimet dhe vërejtjet e paraqitura nga ata.

Edhe gjatë shqyrtimit të Raportit të auditimit të pasqyrave financiare të Komisionit të Pavarur për Media (KPM), për vitin 2010, deputetët paraqitën vërejtjet e tyre. Deputeti Ali Sadria (LDK), ishte i mendimit se Raporti nuk paraqet në mënyrë reale aktivitetet financiare të KPM-së. Lidhur me këtë, deputetët ishin të mendimit se auditimi duhet bërë performancës, e jo rregullave të brendshme të KPM-së. Ngase siç thanë ata, auditimi i performancës është më i gjerë dhe shpërfaq shkaqet e parregullsive. Pas diskutimeve, raporti u hodh në votim dhe u përkrahë nga shumica e deputetëve.

Pas përfundimit të kësaj pike të rendit të ditës, përfundoi mbledhja e sotme e cila do të vazhdojë nesër në ora 10:00.
Nga mbledhja e Kuvendit