Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik...

, 24.05.2011




Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion i Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga Zenun Pajaziti kryetar, në mbledhjen e sotme shqyrtoi Raportin vjetor të Autoritetit Rregullator te Telekomunikacionit(ART) për vitin 2010.

Në takim ishte i pranishëm edhe drejtori i bordit të ART-së, Ekrem Hoxha, i cili ofroi një pasqyrë të punës së deritashme, sfidat dhe të arriturat e ART-së.

Fillimisht, drejtori Hoxha tha: ”Në aspektin e modernizimit të bazës ligjore për trajtim të teknologjive dhe kërkesave të shoqërisë, Qeveria e Republikës së Kosovës, ka intensifikuar angazhimet rreth përshtatjes dhe përafrimit me legjislacionin aktual të BE-së”, dhe për këtë vijoi ai, ART- ja ka dhënë kontributin e vet duke bërë rekomandime përkatëse.

Duke paraqitur të arriturat e ART-së, kryetari i saj veçoi ngritjen e Stacionit Fiks Radio Monitorues, krijimin e Sistemit të Integruar Informativ Gjeografik (WEB GIS), ngritjen e Laboratorit (Nyjës shkëmbyese të Internetit), dhe të arritura të tjera nga agjensioni.

Duke paraqitur të arriturat e ART-së, Hoxha në vazhdim solli shifra mbi të hyrat e këtij agjensioni. Gjatë vitit të kaluar, tha ai, kemi realizuar të hyra në vlerë prej 9,558,542.69 euro, nga të cilat sqaroi Hoxha, 275,784.05 euro janë realizuar nga shfrytëzimi i resurseve numerike (faturimi dhe detyrime nga viti 2009).

Në vijim të fjalës së tij, kryetari i ART-së foli edhe për sfidat e saj. Lidhur me këtë, ai veçoi: aktivitetin e operatorëve ilegalë, çështjen e Garancionit Bankar, mos respektimin e Ligjit të telekomunikacionit nga institucionet publike vendore dhe ndërkombëtare, kufizimet buxhetore, si dhe nevojën e rritjes së kapaciteteve dhe resurseve profesionale.

Pas kësaj, anëtarët e komisionit ngritën një varg çështjesh dhe shqetësimesh. Me theks të veçantë ata u interesuan për operatorët ilegal të telefonisë mobile në Kosovë, dhe për kodin telefonik të Republikës së Kosovës. Në lidhje me këtë, drejtori Hoxha tha se viti raportues karakterizohet me eliminimin e infrastrukturës boshtore të operatorëve ilegalë të telefonisë mobile në Kosovë, (janë sekuestruar tri stacione dhe 125 antena mikrovalore, tha kryetari i ART-së, Hoxha).

Pas diskutimeve, anëtarët e Komisionit e miratuan Raportin e ART-së për vitin 2010, duke vlerësuar se i plotëson kushtet për procedim të mëtutjeshëm
Nga mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik...