Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi u takua me kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme, Stefano Stefani dhe me Monsinjor Jagodzinskin

, 25.05.2011




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi dhe delegacioni që e shoqëron, në kuadër të vizitës zyrtare në Itali, ka vazhduar edhe sot takimet me autoritete të larta italiane.

Një pritje e veçantë, kryetarit Krasniqi i ishte rezervuar nga kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, z. Stefano Stefani. Duke e falënderuar zyrtarin e lartë të parlamentit italian për pritjen dhe mbështetjen që Italia i ka dhënë Kosovës, kryetari Krasniqi e njoftoi atë me zhvillimet në Kosovë dhe të arriturat e saj. Kreu i Kuvendit foli për zgjedhjet e vitit të kaluar në Kosovë dhe konstituimin e institucioneve të dala nga këto zgjedhje, ndërsa vëmendje të veçantë iu kushtoi problemeve në veri të Kosovës dhe obstruksioneve që Serbia i bën atje shtetit të Kosovës. Krasniqi, gjithashtu, dha një pasqyrë të punës dhe përbërjes së Kuvendit të Kosovës, veçanërisht të pjesëmarrjes së komuniteteve pakicë dhe rolit të tyre.

Kryetari i Kuvendit potencoi synimet e institucioneve të Kosovës për përmbushjen sa më të shpejtë të kritereve për liberalizimin e vizave, për integrimet euroatlantike dhe anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, për të cilat i kërkoi z. Stafani mbështetjen e parlamentit italian.

Krasniqi foli për bisedimet që po zhvillohen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, njohjet e shtetit të Kosovës dhe lobimin për njohje të reja, rreth të cilit kërkoi mbështetje nga mikpritësi.

Duke folur rreth zhvillimit ekonomik të vendit, Krasniqi vuri theksin në mundësitë e investimeve italiane e të vendeve të tjera, duke pasur parasysh krijimin e kushteve për investitorë të huaj në Kosovë.

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Stefano Stefani, pasi i shprehu mirëseardhje delegacionit të Kosovës, theksoi se kjo vizitë është një mundësi e mirë për ndërtimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet parlamenteve të të dyja vendeve. Ai tha se për Italinë, Kosova është një vend mik dhe se përshpejtimi i procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe integrimi evropian i saj, është interes jo vetëm i Kosovës dhe i Italisë, por i të gjitha vendeve të BE-së.

Sa i përket njohjeve të shtetit të Kosovës, Stefani tha se këto varen nga dialogu me Serbinë dhe rezultatet që do të dalin nga ky dialog, të cilin ai e cilësoi si shumë të rëndësishëm. Ai potencoi interesimin e Italisë edhe për mbrojtjen e monumenteve fetare e kulturore në Kosovë, për të cilën kryetari Krasniqi dha sqarimet e nevojshme, duke potencuar tolerancën fetare në Kosovë.

Kryetari Krasniqi, zhvilloi sot një takim të veçantë në Vatikan me Monsinjor Jagodzinskin, zyrtar i lartë i Vatikanit, të cilin e njoftoi me të gjitha të arriturat në Kosovë. Gjatë këtij takimi, kërkesë e veçantë e kryetarit Krasniqi ishte njohja e Republikës së Kosovës nga ana e Vatikanit.

Jagodzinski, nga ana e tij, theksoi se është shtuar vëmendja për Kosovën dhe se kjo dëshmohet edhe me emërimin e delegatit apostolik për Kosovën nga Selia e Shenjtë. Ai theksoi, gjithashtu, se Vatikani i përcjell me vëmendje zhvillimet në Kosovë dhe shprehu kënaqësinë për arritjet e saj.

Pasdite, kryetari Krasniqi do të takohet edhe me shefin e grupit parlamentar të partisë PD (Partito Democratico), z. Dario Franceschini.
Kryeparlamentari Krasniqi u takua me kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme, Stefano Stefani dhe me Monsinjor Jagodzinskin