Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kuvendit të Republikës së Kosovës

, 27.05.2011




Kuvendi i Republikës së Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt plenare, gjatë të cilës deputetët kanë miratuar në parim tri projektligje, një propozim-vendim qeverisë dhe tri raporte të agjensioneve të pavarura.

Në këtë mbledhje, e cila u udhëhoq nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit (një pjesë të mbledhjes e udhëhoqi nënkryetari Xhavit Haliti), pyetjeve të deputetëve iu përgjigjën ministrat Bajram Rexhepi, Bedri Hamza dhe Radojca Tomiq.

Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, në emër të Ministrisë së Drejtësisë, prezantoi para deputetëve Projektligjin për ndihmë juridike falas dhe atë për mbrojtjen e dëshmitarëve. Duke shpalosur përmbajtjen projektligjeve, ministri Yagcilar foli për rëndësinë e tyre dhe njëherësh kërkoi miratimin nga deputetët. Projektligjet iu nënshtruan diskutimeve nga ana e deputetëve dhe morën miratimin e tyre në parim.

Projektligji për efiçiencën e energjisë, ndërkaq, u prezantua nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, i cili tha se qëllimi i këtij projektligji është harmonizimi i legjislacionin vendor me një numër të caktuar të direktivave të BE-së, te cilat, sipas tij, janë të domosdoshme për efiçiencën e energjisë.

Pas diskutimeve, Kuvendi miratoi në parim këtë projektligj dhe i ngarkoi komisionet përkatëse që në afatin e përcaktuar ta shqyrtojnë dhe t’ia paraqesin Kuvendit raportin me rekomandime.

Në vazhdim, deputetët shqyrtuan dhe miratuan propozim-vendimin e Qeverisë së Kosovës lidhur me emërimin e Bedri Bahtirit - anëtar të Këshillit Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës, raportin vjetor të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, për vitin 2010, raportin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe atë të Agjencisë Kosovare të Pronës.
Nga mbledhja e Kuvendit të Republikës së Kosovës