Lajmet e fundit

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Buxhet dhe Financa

, 01.06.2011




Në vazhdën e punës për shqyrtimin dhe amendamentimin e Projektligjit për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim, Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i kryesuar nga Safete Hadërgjonaj, kryetare, ka mbajtur sot një dëgjim publik, në të cilin ishin të pranishëm përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, agjensioneve të pavarura, organizatave joqeveritare, ekspertë, përfaqësues nga bota akademike, shoqata të ndryshme dhe grupe të interesit, të cilët dhanë vërejtjet dhe ofruan rekomandimet e tyre për këtë projektligj.

Kryetarja Hadërgjonaj, duke iu uruar mirëseardhje të ftuarve, dha një pasqyrë të ecurisë së këtij projektligji deri në fazën e amendamentimit, në funksion të të cilit ishte edhe ky dëgjim publik. Duke e potencuar rëndësinë e këtij projektligji, Hadërgjonaj tha se fusha të cilën ai e mbulon deri tani nuk ka qenë e rregulluar me ligj.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, duke e prezantuar ligjin, e cilësoi atë si një hallkë të rëndësishme në kuadër të reformës qeveritare. Rregullimin e fushave që i mbulon ky projektligj, Hamza i konsideroi me interes të veçantë për vendin.

Ekspertët dhe përfaqësuesit e tjerë të institucioneve e të shoqërisë civile, i bënë një elaborim të detajuar projektligjit dhe dhanë sugjerime të shumta për rregullimin pjesëve të caktuara të tij. Duke e cilësuar si ligj shumë të domosdoshëm për vendin, i cili, në mënyrë të veçantë rregullon sistemin e kontabilitetit e të raportimit financiar, diskutuesit zhvilluan një debat të gjerë duke potencuar mangësitë e projektligjit dhe duke mëtuar të japin zgjidhjet adekuate për përmirësimin e tij.

Anëtarët e komisionit shtruan një varg pyetjesh në adresë të ekspertëve, me synim të marrjes së mendimeve të tyre për çështje të caktuara, të cilat do të jenë të nevojshme në këtë fazë të amendamentimit të projektligjit.

Kryetarja Hadërgjonaj, duke bërë një përmbledhje të diskutimeve, theksoi se rekomandimet e dala nga ky dëgjim publik do të merren parasysh nga grupi punues dhe komisioni, të cilat do ta pasurojnë projektligjin, duke e bërë atë të zbatueshëm pas miratimit dhe hyrjes së tij në fuqi.
Nga dëgjimi publik i Komisionit për Buxhet dhe Financa