Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa

, 08.06.2011




Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës ka shqyrtuar sot disa raporte financiare të agjensioneve të pavarura e të institucioneve, projektligje, kërkesa buxhetore e propozime.

Në mbledhjen, të cilën e udhëhoqi kryetarja e komisionit, Safete Hadërgjonaj, komisioni shqyrtoi kërkesën buxhetore të Agjencisë Kosovare të Pronës (AKP), të cilën e prezantoi drejtori ekzekutiv i saj, Scott Boëen. Pas shqyrtimit të saj dhe pyetjeve sqaruese, anëtarët e komisionit kërkuan informacione më të detajizuara me shkrim për personelin e AKP-së dhe pagat e tyre.

Raport më i detajizuar iu kërkua edhe përfaqësuesve të Komisionit për Ndihmë Juridike, të cilët, para deputetëve prezantuan raportin vjetor financiar të këtij komisioni.

Komisioni, ndërkaq, përkrahu raportin vjetor financiar të Autoritetin Rregullativ të Telekomunikacionit për vitin 2010, një përmbledhje të të cilit e bëri kryetari i Bordit, Ekrem Hoxha. U përkrah, gjithashtu, propozimi i komisionit përzgjedhës dhe i qeverisë, për emërimin e kryesuesit dhe një anëtari të Bordit të Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, për të cilët u konstatua se i plotësojnë kushtet e parapara ligjore dhe u rekomanduan për miratim në Kuvend.

Sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, prezantoi para komisionit Raportin e shpenzimeve të Kuvendit për tre mujorin e parë të vitit 2011, me ç’rast tha se të dhënat pasqyrojnë aktivitetet e domosdoshme për këtë periudhë.

Raporti mori përkrahjen e anëtarëve të komisionit dhe u rekomandua për miratim në Kryesinë e Kuvendit.

Në mbledhjen e sotme u përkrah në parim edhe Projektligji për Ndihmën Shtetërore dhe u krijua grupi për monitorimin e Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal. U krijuan, gjithashtu, grupet punuese për Projektligjin për sigurimin e detyrueshëm nga autopërgjegjësia ndaj palëve të treta dhe për Projektligjin për akcizën në produktet e duhanit.

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa