Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së

, 08.06.2011




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë, kryesuar nga Ahmet Isufi, kryetar i komisionit, u diskutua lidhur me draft-memorandumin e Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Në këtë takim morën pjesë ministri i FSK-së, z. Agim Çeku dhe ministri i Punëve të Brendshme, z. Bajram Rexhepi, të cilët raportuan para anëtarëve të komisionit lidhur me draft-memorandumin mes këtyre dy ministrive, një draft i cili ka sjellë shqetësim tek opinioni dhe komisioni parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri. Andaj, anëtarët e komisionit kërkuan sqarime nga përfaqësues të këtyre dy ministrive rreth inicimit të këtij draft-memorandumi.

Fillimisht ministri i FSK-së, z. Agim Çeku sqaroi para anëtarëve të komisionit qëllimin e këtij draft-memorandumi duke theksuar se synim i kësaj përpjekjeje është fuqizimi i FSK-së. Ai tha se dokumenti në fjalë është në fazën fillestare dhe është në përputhshmëri të plotë me ligjet në fuqi dhe Kushtetutën e Kosovës. “Është kërkesë legjitime e jona dhe bëhet fjalë për praktika të sistemit demokratik”, theksoi fillimisht z. Çeku, duke shtuar se ky është një projekt në kohën e duhur, i cili çon FSK- në drejt avancimit.

Ai duke zbuluar detaje nga lista që përfshin ky dokument tha se qëllimi i këtij draft-memorandumi nuk ka të bëjë me përzierjen e kompetencave të Policisë së Kosovës, por dokumenti në fjalë është për të ndihmuar policinë, në rastet kur PK-ja kërkon këtë.

Duke u sqaruar para anëtarëve të Komisionit, ministri Çeku tha se janë formuar grupet punuese që do të vazhdojnë të punojnë në këtë dokument, e po ashtu kjo do të diskutohet edhe në Këshillin e Sigurisë, si dhe do të shkojë sipas të gjitha procedurave tjera, gjithnjë sipas ligjit dhe Kushtetutës. Megjithatë, ministri i FSK-së përsëriti sërish se draft-memorandumi është në fazën fillestare dhe do të ketë modifikime në këtë dokument.

Edhe ministri i Punëve të Brendshme z. Bajram Rexhepi tha me këtë rast se draft-memorandumi do të riformulohet nga zyrtarët ligjor të dy ministrive, me qëllim që ky dokument të jetë konform ligjeve në fuqi. Ndërsa, sqaroi se ky memorandum-bashkëpunimi është dokument i cili nuk e ka fuqinë që të ndryshojë mandatin as të MPB-së dhe as të FSK-së, duke shtuar se ky memorandum në mënyrë konkrete definon qartas pikat e bashkëpunimit. U theksua se lidhur me këtë dokument në kohën e duhur do të njoftohen Presidenca, institucionet tjera, si dhe komisioni parlamentar.

Anëtarët e Komisionit u dakorduan që t’i japin mbështetje këtyre dy ministrive që të bashkëpunojnë, ndërsa theksuan që të mos anashkalohen për këtë çështje Këshilli Kombëtar i Sigurisë, Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së, si dhe institucionet tjera. Ky memorandum-bashkëpunimi duhet të jetë në përputhje të plotë me ligjet në fuqi, u theksua me këtë rast.
Mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së