Lajmet e fundit

Ceremoni me rastin e përfundimit të programin trajnues për administratën e Kuvendit

, 14.06.2011




Sot, 30 menaxherë të administratës së Kuvendit të Republikës së Kosovës përfunduan programin trajnues të organizuar nga Instituti Demokratik Kombëtar (NDI) në bashkëpunim me Konferencën Kombëtare të Legjislaturave Shtetërore të SHBA-ve (NCSL). Sesionet e këtij programi janë mbajtur nga trajnerë me përvojë të gjatë dhe njohuri të avancuara në menaxhment, praktikat e lidershipit dhe funksionimin e administratës në institucionet legjislative.

Programi trajnues është dizajnuar për të avancuar shkathtësitë menaxheriale të udhëheqësve të administratës së Kuvendit, duke u fokusuar në aplikimin praktik të koncepteve dhe metodave që menaxherët mund t’i vënë në përdorim për të përballuar ngarkesën dhe dinamikën e punës në Kuvend.

Ceremoninë e ndarjes së diplomave e hapi Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Ismet Krasniqi, ndërsa fjalë rasti mbajti edhe kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi.

Në fjalën e tij, kryetari Krasniqi tha se në secilin parlament demokratik, stafi menaxherial dhe ai administrativ, si shërbime profesionale, luajnë rol shumë të rëndësishëm në efikasitetin e punës dhe njëkohësisht kanë nevojë të vazhdueshme për rritjen e cilësisë së punës e të njohurive të reja nëpërmjet trajnimeve dhe zhvillimit të aftësive profesionale.

“Duke marrë parasysh përmbajtjen e Programit dhe temat të cilat janë elaboruar gjatë punëtorive, jam i bindur se menaxherët e Administratës i kanë avancuar, zgjeruar dhe rritur njohuritë dhe shkathtësitë e nevojshme për t’i përmbushur detyrat dhe përgjegjësitë në vendet e punës”, tha Krasniqi, duke falënderuar NDI-në dhe USAID-in për organizimin e këtij Programi dhe për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë e po i japin Kuvendit.

Përfaqësuesi i Konferencës Kombëtare të Legjislaturave Shtetërore të SHBA-ve, Bruce Feustel, i cili bëri edhe ndarjen e certifikatave, duke folur për synimet e këtij trajnimi, potencoi rëndësinë që stafi të jetë profesional dhe i fuqishëm. Ai tha se në Kuvend, deputetët vijnë dhe shkojnë, ndërsa stafi qëndron, të cilin e konsideroi bazë të institucionit.

“Një staf i fuqishëm do të thotë një Kuvend i fuqishëm”, theksoi Feustel.
Ceremoni me rastin e përfundimit të programin trajnues për administratën e Kuvendit