Lajmet e fundit

Takim i përbashkët i Komisionit për Buxhet dhe Financa dhe atij për Mbikëqyrjen e Financave Publike me një grup europarlamentarësh

, 16.06.2011




Anëtarë të Komisionit për Kontroll të Buxhetit të Parlamentit Evropian, janë pritur sot në një takim të përbashkët nga Komisioni për Buxhet dhe Financa dhe Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike të Kuvendit të Kosovës.

Kryetarët e dy komisioneve të Kuvendit të Kosovës, prezentë në takim, Safete Hadërgjonaj e Aliu Sadriu, bënë një prezantim të fushëveprimtarisë, punës detyrave dhe sfidave të komisioneve përkatëse, duke potencuar aspektin mbikëqyrës financiar që iu bëhet organizatave buxhetore.

Hadërgjonaj e Sadriu falënderuan parlamentarët evropianë për ndihmën që institucionet evropiane dhe organizata të tjera i kanë dhënë Kosovës që nga paslufta në rindërtimin dhe zhvillimin ekonomik të saj.

Kryetari i delegacionit të Parlamentit Evropian, Bart Staes, tha se qëllimi i kësaj vizite është njoftimi nga afër me situatën në Kosovë. Ai tha se Bashkimi Evropian është bukur shumë i përfshirë në ndihmën për Kosovën dhe potencoi se anëtarët e Komisionit për Kontroll Buxhetor duan të sigurohen që parat e taksapaguesve evropianë që investohen në Kosovë, shpenzohen në mënyrë të drejtë.

Edhe europarlamentarë të tjerë shfaqën interesimet e tyre për një varg çështjesh që lidhen me fushën buxhetore, për të cilat folën kryetarët Hadërgjonaj e Sadriu, si dhe anëtarët e tjerë të komisioneve vendore, Naser Osmani, Muhamet Mustafa, Xhevdet Neziraj e Valbona Dibra. Deputetët shprehën angazhimet e tyre që mjetet e taksapaguesve evropianë të shpenzohen në mënyrë sa më të mirë, ndërsa potencuan se shumica e donacioneve janë menaxhuar, kryesisht, nga ana e vetë donatorëve.
Takim i përbashkët i Komisionit për Buxhet dhe Financa dhe atij për Mbikëqyrjen e Financave Publike me një grup europarlamentarësh