Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media
, 22.06.2011
Në kuadër të shqyrtimeve për përmbushjen e sfidave të dala nga Raporti i Progresit për Kosovën, për vitin 2010, në mbledhjen e sotme të Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga Idriz Vehapi, kryetar i Komisionit, teme thelbësore ishte çështja e funksionimit të Fondit për media të minoriteteve, përkatësisht financimi i veprimtarisë së tyre. Lidhur me ketë çështje para Komisionit një raport shkoqitës paraqiti Ismet Cakiqi, kryesues i Komisionit për menaxhimin e Fondit për mbështetjen e mediave minoritare, multietnike dhe grupeve tjera të veçanta në Zyrën e Kryeministrit. Z. Cakiqi tha se në fillim Fondit, i cili vepron me Rregullore te veçantë, iu ndanë 50 mijë euro, nga i cili përfituan 11 mediume, ndërsa nga mjetet në vlerë prej 170 mijë euro që u ndanë në mbështetje të Ligjit për RTK-në përfituan 50 mediume. Mirëpo, këto ecuri në vijim u ndërlikuan, kur u ndërpre parapagimi për RTK-në, që kushtëzoi boshatisjen e mjeteve të Fondit. Në këtë situatë , u ndërpre dhënia e granteve për këto mediume.
Në kuadër të debatit të gjerë ndër të tjera u theksua se është e nevojshme që nga ana e RTK-së të kryhen obligimet sipas Ligjit për mediumet minoritare, që kanë të bëjnë me ndarjen e mjeteve që kanë mbetur pa u paguar nga periudha deri në ndërprerjen e parapagimit, si dhe obligimet e RTK-së, që dalin nga ndarja e mjeteve në shkallë 5 për qind për nevoja të këtyre mediumeve, të cilat transmetuesit publik i ndahen nga buxheti i Kosovës. Në kërkim të gjetjes së një zgjidhjeje për çështjen e financimit të këtyre mediumeve u vendos që Komisioni në një afat sa më të shkurtër të mbajë një mbledhje me përfaqësuesit e Bordit të RTK-së, në mënyrë që kjo sfidë nga Raporti i Progresit të gjejë zgjidhje. Komisioni vlerësoi se Qeveria e Kosovës edhe më tutje duhet të jetë përgjegjëse për funksionimin e Fondit për mediumet minoritare.