Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi uron Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon

, 27.06.2011




Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka uruar
Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon, për rizgjedhjen e tij në krye të organizatës botërore.

Në urimin e z. Krasniqi thuhet:

I nderuar Zoti Ban Ki-moon,

Nëpërmjet kësaj letre Ju uroj përzemërsisht rizgjedhjen në institucionin e lartë të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara. Ju zoti Ban jeni personalitet i qëlluar për të ushtruar këtë funksion me përgjegjësi aq të madhe.

Republika e Kosovës, tashmë e njohur nga 76 vende anëtare të OKB-së aspiron anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Ne presim nga Ju dhe nga gjithë miqtë tanë, të na mbështetni edhe në këtë proces historik dhe jetik për popullin e Kosovës, i cili do t'i sjellë në familjen e madhe të popujve të Kombeve të Bashkuara vlerat e tij antike dhe moderne.

Shpresoj që në mandatin që keni do të gjeni kohë ta vizitoni Kosovën, për të cilën Kombet e Bashkuara kanë bërë dhe po bëjnë aq shumë. Shfrytëzoj këtë rast të t'ju shpreh mirënjohjen tonë të thellë për gjithë ndihmën që Kombet e Bashkuara kanë dhënë për Kosovën në këto vite vendimtare të historisë së saj.

Ju lutem Shkëlqesi, pranoni shprehjen e konsideratës sime më të lartë.

Kryeparlamentari Krasniqi uron Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon