Lajmet e fundit
Mbledhja e Kuvendit
, 30.06.2011
Në mbledhjen e sotme të Kuvendit të Kosovës, e kryesuar nga kryekuvendari, dr. Jakup Krasniqi, një pjesë të së cilës e kryesoi nënkryetari Xhavit Haliti, kryeministri i Kosovës, z. Hashim Thaçi, u paraqit në interpelancë, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje!, lidhur me autostradën Morin - Merdare.
Kërkesën për interpelancë e arsyetoi Visar Ymeri, kryetar i grupit parlamentare të Lëvizjes Vetëvendosje!. Visar Ymeri tha se tash e një vit e dy muaj më parë është nënshkruar kontrata mes Qeverisë së Kosovës dhe konzorciumit „Bechtel & Enka" për ndërtimin e autoudhës që po quhet Morinë-Merdare. Ky projekt, i cili padyshim se është investimi më i madh kapital i Kosovës në këto 12 vitet e fundit, nuk dihet saktësisht se sa do të kushtojë. Kryeministri ka deklaruar se do të kushtojë 700 milionë euro, ndërsa ministri i Financave e jep një shumë prej gjithsej 1 miliardë euro, sigurisht duke e kalkuluar kështu edhe koston e shpronësimit. Ndërkohë, që kontrata e nënshkruar nuk jep kurrfarë kosto definitive. Në preambulën e kontratës thuhet:" Kontraktori "Bechtel- Enka" zotohet se do të bashkëpunojë me punëdhënësin (pra Qeverinë) për ta arritur koston e planifikuar të ndërtimit prej 652 milionë e 853 mijë eurosh, ku përfshihet kostoja plus TVSh-ja. Kjo kosto synohet, por nuk është definitive, që nënkupton se Qeveria e Kosovës ka hyrë në kontratë pa e ditur saktësisht se sa do të kushtojë ajo. Kështu që presim sot nga kryeministri të na tregojë pse kanë hyrë në këtë kontratë duke mos e ditur koston përfundimtare të saj", theksoi Ymeri.
Kontrata është nënshkruar me kompaninë "Bechtel- Enka" pa e pasur të definuar saktë trasenë, pa e pasur disejnin e rrugës, si dhe pa i bërë paraprakisht një vlerësim gjeologjik vendit ku ajo do të ndërtohet. Të gjitha këto elemente ia shtojnë koston projektit. Projekti ka filluar të ndërtohet dhe ka ardhur në fazën përfundimtare të tij në 34 kilometrat e parë. Vetëm tash Qeveria e Kosovës e ka kontraktuar një kompani mbikëqyrëse të punës, tha Ymeri.
"Është thënë se kontrata e negociuar dhe e nënshkruar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, në krye me Hashim Thaçin, është në dobi të Kosovës. Duke e lexuar këtë kontratë që e keni përpara e vërehet se ajo mbron shumë më shumë interesin e kontraktorit se sa atë të Kosovës. Buxheti ynë i varfër obligohet t'ia paguajë 40 milionë euro kontraktorit për dislokimin e makinerisë dhe personelit në Kosovë, pra 40 milionë euro për t'i sjellë makinat të cilat ishin duke punuar jo më shumë se 40 kilometra larg Morinit në autorrugën Durrës- Morin", theksoi Visar Ymeri.
Në përgjigjen ndaj interpelancës kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi tha se falënderon deputetët që kërkuan këtë interpelancë, ndaj edhe me kënaqësi do të flasë për dinamikën e ndërtimit të autostradës Vermicë- Merdare, të këtij projekti madhor të vendit tonë. Ecuria e punëve të deritashme në këtë autostradë,tha në vijim Thaçi, tregon se ky projekt po realizohet me një tempo rekord, ndërsa këtë e dëshmon fakti se disa segmente të kësaj autostrade, do të kryhen madje 12 muaj para afatit të paraparë. Qeveria e Kosovës është për llogaridhënie, sepse është e vetëdijshme se me çfarë kufizimesh financiare ballafaqohet vendi. Në këtë vështrim Qeveria e Kosovës është duke treguar shumë kujdes për harxhimin e parasë publike. Projekti i autostradës ka qenë i studiuar shumë mirë, ashtu sikurse edhe projektet tjera. Megjithatë, kjo punë e madhe që po bëhet, nuk po shihet me sy të mirë , përkundrazi po atakohet për qëllime politike. Është absurde që të kërkohet ndërprerja e punëve të autostradës, e kjo është papërgjegjshmëri. Interpelanca, theksoi kryeministri Thaçi, nuk është kërkuar për transparencë, por për zhurmë politike. Ajo është përpjekje për manipulime, duke i shkaktuar njëkohësisht dëm kontratës. Duke folur për rëndësinë e autostradës z. Thaçi u shpreh se në këtë projekt, i cili ndërtohet sipas kritereve më të larta ndërkombëtare, janë angazhuar rreth 3 mijë punëtorë. Projekti është transparent dhe shumë i favorshëm për vendin nga shumë aspekte, ndërsa sendërtohet në bazë të dispozitave ligjore. Projekti i autostradës realizohet në bazë të vendimit të Qeverisë së Kosovës, theksoi kryeministri Thaçi.
Ne debatin e gjerë ishin të ndara mendimet e pozitës dhe opozitës rreth realizimit të projektit. Diskutuesit nga pozita theksonin se kjo autostradë është duke u ndërtuar me cilësi të lartë dhe se çdo gjë me rastin e realizimit të këtij projekti bëhet mbi baza ligjore e kushtetuese, si dhe me transparencë të plotë. Ata vlerësonin se ky projekt po politizohet për qëllime të caktuara. Ndërkaq, opozita jepte shumë vërejtje sa i përket transparencës si dhe mënyrës së sendërtimit të projektit dhe sidomos për ndryshimin e trasesë së autostradës. Ata theksonin se ky objekt është i një rëndësie të veçantë, si nga aspekti ekonomik, ashtu edhe nga aspekti i krijimit të kushteve për lëvizje të lirë të qytetarëve, ndaj edhe gëzon përkrahje të plotë. Mirëpo, ata bënin vërejtje se projekti nuk është transparent, se ka një kosto të lartë financiare, konstatime këto me të cilat nuk pajtoheshin deputetët e pozitës.
Në përmbyllje të debatit, të cilin herë-herë e shoqëronin edhe kundërpërgjigje të shpeshta, të cilat kalonin kufijtë e temës që ishte në rëndin e ditës, në emër të kërkuesit të interpelancës, Visar Ymeri, theksoi se Qeveria rreth kësaj çështjeje, përkatësisht rreth parasë publike, ka qasje joserioze dhe të papërgjegjshme. Kjo tregon se Qeveria përpiqet të fshehë diçka, theksoi Ymeri. "Bechtel - enka" në këtë rast është përfitues e jo investues. Në vazhdim ai propozoi katër rekomandime, të cilat nuk u miratuan nga shumica e nevojshme e deputetëve.
Në vijim në seancë u shqyrtuan Projektligji për dizajnin industrial, Projektligji për patenta, Projektligji për mbrojtje nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera, Projektligji për Markat Tregtare, Raporti i punës së Komisionit të Ndihmës Juridike, si dhe propozimi Komisionit Ad-Hoc parlamentar për emërimin e anëtarëve të Këshillit të Komisionit të Pavarur për Media. Në mungesë të kuorumit për këto projektligje e raporte do të votohet në mbledhjen e ardhshme të Kuvendit.