Lajmet e fundit

Kryekuvendari Krasniqi priti kryesuesin e radhës të OSBE-së, z. Audronius Azubalis

, 08.07.2011




Kryetari i Kuvendit të Kosovës , dr. Jakup Krasniqi, kishte sot një takim me kryesuesin e radhës të OSBE-së, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme të Lituanisë, z. Audronius Azubalis. Në këtë takim z. Audronius Azubalis prezantoi prioritetet e Kryesisë Lituaneze të OSBE-së, duke rikonfirmuar përkushtimin e OSBE-së për mbështetjen e zhvillimit të institucioneve demokratike dhe shumetnike në Kosovë, si dhe monitorimin dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Kryesuesi i OSBE-së shprehu gatishmërinë e OSBE-së për ndihmë të mëtejme në fushat kryesore të mandatit të OSBE-së, duke përfshirë ndihmën në ngritjen kapaciteteve të institucioneve demokratike, ofrimin e mbështetjes teknike për reformën zgjedhore dhe forcimin e shoqërisë civile. Z. Azubalis foli edhe për çështjen e riatdhesimit, si dhe për lirinë e medias.

Kryekuvendari Krasniqi theksoi se tashmë në Kosovë janë formuar komisionet për reformën zgjedhore dhe ndryshimet kushtetuese. Ndërkaq, duke folur për përfaqësimin e komuniteteve në jetën institucionale në Kosovë, ai tha se në këtë lëmë po zbatohen provizionet e Pakos së Presidentit Ahtisari, si dhe Kushtetuta dhe legjislacioni i Kosovës. Kjo ka krijuar kushtet që në Kuvend, në Qeveri e në administratë të përfaqësohen komunitetet. Kur është fjala për çështjen e lirisë së mediave, kreu i legjislativit të vendit u shpreh se mediat në Kosovë janë të lira, megjithatë ka hapësirë për të bërë edhe më shumë në këtë lëmë.

 

Kryekuvendari Krasniqi priti kryesuesin e radhës të OSBE-së, z. Audronius Azubalis