Lajmet e fundit

Nga dëgjimi publik i Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore...

, 12.07.2011




Në kuadër të angazhimit për nxjerrjen e një ligji sa më adekuat konform rrethanave në Kosovë, Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione i Kuvendit të Republikës së Kosovës, sot organizoi dëgjim publik, për të debatuar rreth Projektligjit për persona të pagjetur.

Ky dëgjim publik zhvilloi punimet nën kryesimin e kryetarit të grupit punues të Projektligjit, Kurtan Kajtazi.

Përveç anëtarëve të Komisionit, morën pjesë edhe përfaqësues të Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, EULEX-it, Këshillit të Asociacionit të familjeve të të zhdukurve, përfaqësues të shoqatës Thirrjet e Nënave dhe Zëri i Prindërve, KMDLNJ-së dhe përfaqësuesi i Ambasadës Zvicerane në Kosovë.

Në hapje të punimeve, kryesuesi i këtij debati pasi përshëndeti të pranishmit foli për qëllimin i këtij dëgjimi publik. Lidhur me këtë ai tha se Projektligji për persona të pagjetur ka për qëllim që me anë të dispozitave ligjore, të krijohen mekanizma adekuat për mbrojtjen dhe mbështetjen e kësaj kategorie. Në vijim, Kajtazi shprehu besimin se debati do të ndikojë në nxjerrjen e rekomandimeve, të cilat do të ndihmonin që të kemi një Ligj të mirë për Persona të pagjetur.


Në vijim të debatit, përfaqësuesi i Këshillit të Asociacionit të familjeve të të zhdukurve, Haki Kosumi, duke bërë vlerësimin e Projektligjit vuri në pah se kompletimi i Projejektligjit është stërzgjatur. Kosumi pati vërejtje edhe lidhur me atë se rekomandimet e tyre janë përfillur në masë të vogël gjatë amendamentimi të projektligjit.

Ai në vijim dha edhe vërejtje tjera të cilat u përkrahën edhe nga të tjerët. Vërejtjet kishin të bënin me vlerësimin e periudhës së luftës në Kosovë, dhe me atë që termi "i pagjetur", të zëvendësohet me fjalën "zhdukur". Edhe përfaqësuesi i KMDLNJ-së, Behxhet Shala, ishte i mendimit se periudha në të cilën personat janë zhdukur duhet saktësuar më qartë dhe Projektligji duhet trajtuar në aspektin humanitarë e jo politikë. Ai, po ashtu tha se projektligji s'përmban deklaratën financiare, gjë që pamundëson implementimin e tij. Përfaqësuesja e shoqatës Thirrjet e Nënave, Nusrete Kumnova, u shpreh se Projektligji duhet përafruar me atë të familjeve të dëshmorëve. Përfaqësuesit e shoqatës Zëri i Prindërve, Sheremet Ademi dhe Bajram Çerkini, u angazhuan që Projektligji të sjellë dispozita ligjore që mundësojnë zbardhjen e fatit për të pagjeturit. Përfaqësuesit e këtyre shoqatave po ashtu vlerësuan se versioni i mëparshëm i Projektligjit për të pagjeturit ka qenë më përmbajtësorë.

Gjatë debatit, pjesëmarrësit konstatuan se e meta më e madhe e projektligjit mbetet përkufizimi i saktë i datës. Sipas tyre do duhej që projektligji t'iu referohet personave të zhdukur deri më një, ose njëzet qershor 1999, e jo datës 31 janar të vitit 2000.

Anëtarët e Komisionit, ndërkaq, duke vlerësuar se Projektligji për persona të pagjetur është ndër ligjet më të ndjeshme dhe të rëndësishme që do të miratojë Kuvendi i Kosovës, propozuan që grupit punues të Komisionit, në fazën e amendamentimi t'i bashkëngjiten edhe Haki Kosumi, nga Asociacioni i familjeve të të zhdukurve, Nustrete Kumnova përfaqësuese e shoqatës Thirrjet e Nënave dhe Sheremet Ademi nga shoqata Zëri i Prindërve.

Në fund të debatit u arrit pajtimi që grupi punues tashmë në përbërje të re, të amendamentojë projektligjin në mënyrë që gjatë muajit shtator të procedohet në Kuvend.

Nga dëgjimi publik i Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore...