Lajmet e fundit
Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike
, 13.07.2011
Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, në mbledhjen e sotme shqyrtoi Raportin Vjetor të auditimit të pasqyrave financiare të Universitetit të Prishtinës (UP) për vitin 2010, dhe Raportin e auditimit të pasqyrave financiare të Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK), të vitit 2010, të kryera nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm (ZAP).
Në këtë mbledhje, kryesuar nga zv. kryetari i parë i Komisionit, Ramiz Lladrovci, Komisioni fillimisht shqyrtoi Raportin për AKK-në të vitit 2010. Gjatë shqyrtimit të tij, anëtarët e Komisionit vlerësuan se të gjeturat e evidentuara nga ZAP-i, janë të natyrës teknike dhe vlerësuan se pasqyrat financiare janë të paraqitura në mënyrë korrekte dhe performanca e agjencionit është e kënaqshme. Andaj, pas një debati lidhur me këtë raport, anëtarët e Komisionit unanimisht e miratuan atë duke inkurajuar agjencionin për punë të mëtutjeshme. Drejtori i AKK-së, Hasan Preteni, ndërkaq tha se agjencioni e ka të qartë misionin që ka dhe foli për përkushtimin e tyre për punë të suksesshme në luftën kundër korrupsionit. Ai më tej shtoi se shpenzimet buxhetore janë realizuar në masën prej 85% të mjeteve dedikuar agjencionit, nga të cilat 75% janë shpenzuar në investime kapitale.
Lidhur me këtë raport foli edhe udhëheqësi i Zyrës së ZAP-it, Lars Lage Olofsson. " Sa i përket AKK-së, janë evidentuar gabime të vogla apo gjetje të lehta procedurale", tha Lage.
Pas kësaj, mbledhja vazhdoi me shqyrtimin e Raportit Vjetor të auditimit të pasqyrave financiare të UP-së, për vitin 2010. Edhe për këtë raport, anëtarët e Komisionit vlerësuan se të gjeturat nga ZAP-i, nuk e dëmtojnë prezantimin e saktë të pasqyrave financiare të këtij institucioni. Lidhur me Raportin e ZAP-it për UP-në, sipas të cilit pasqyrat financiare prezantojnë pamje të drejtë në të gjitha aspektet financiare përpos prezantimit të shpenzimeve për ngrohje qendrore, anëtarët e Komisionit vlerësuan se s'ka të dhëna të mjaftueshme për vlerësim negativ të raportit. Ndonëse Raporti Vjetor i auditimit të pasqyrave financiare të UP-së, për vitin 2010 u vlerësua pozitiv, anëtarët e Komisionit u fokusuan në disa mangësi që ka raporti lidhur me performancën e treguar nga udhëheqësit e UP-së. Lidhur me këtë, anëtarët e Komisionit rëndësi të veçantë i kushtuan mos definimit të qartë të pronës së luajtshme dhe të paluajtshme të UP-së. Për më shumë, anëtarët e Komisionit kërkuan nga rektori i UP-së, Mujë Rugova, që sa më parë të regjistrohet kjo pronë, dhe në rast se ka menaxhim të paligjshëm të saj të raportohet tek organet kompetente.
Shqetësimeve që ngritën anëtarët e Komisionit, iu përgjigj rektori i UP-së, Mujë Rugova. Ai sqaroi se që nga themelimi i këtij institucioni, prona e tij asnjëherë s'ka qenë e definuar saktë. Po ashtu, ai tregoi se aktualisht, disa nga ministritë shërbehen me pronën e paluajtshme të UP-së. Duke folur për vështirësitë që e përcjellin UP-në, rektori Rugova ndër çështjet më të ndjeshme tha se është borxhi i trashëguar nga pararendësi i tij, si dhe administrata e UP-së e shpërndarë në pesë objekte.
Pas kësaj, anëtarët e Komisionit vendosën që lidhur me çështjet e ngritura të paraqesin rekomandimet e tyre.