Lajmet e fundit
Kryekuvendari Krasniqi u kthye sot nga vizita zyrtare në Bruksel
, 14.07.2011
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, u kthye sot nga vizita zyrtare në Bruksel. Me të arritur në Aeroportin e Prishtinës kryekuvendari dha një prononcim për media. Ai në fillim tha se sipas kërkesës ( ftesës) së tij ishte për vizitë në Parlamentin e Bashkimit Evropian, ndërsa qëllimi i kësaj vizite ka qenë letra që shefi i EULEX-it kohë më parë ia ka dërguar atij, si dhe draft-letra, që kryekuvendari mbi bazë të opinionit të zyrës ligjore të Kuvendit dhe të ekspertëve të tjerë, ka përgatitur si përgjigje. Çështja e imunitetit të deputetëve është e përcaktuar mjaft mirë me Kushtetutë dhe ligjet në fuqi, ndaj duhet të ndiqet ajo që e kanë përcaktuar Kushtetuta dhe ligjet tona, tha ai.
Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve, kryekuvendari Krasniqi tha se në Bruksel ka pasur takime me deputetët, të cilët megjithëse nuk kanë fuqi ekzekutive,kërkesa e tyre është që sundimi i rendit dhe ligjit nuk kanë alternativë, "ndërsa ne jemi duke e bërë këtë", pohoi kryekuvendari Krasniqi.
Në përgjigjen se a mund të ndryshojë draftpërgjigjja që është përgatitur si përgjigje ndaj EULEX-it, kryekuvendari Krasniqi tha se Letra është e përgatitur shumë mirë profesionalisht , ndoshta ka nevojë për një korrigjim, por korrigjimet më tepër do të jenë të natyrës gjuhësore se sa përmbajtjesore. Nuk ka qenë drafti final, sepse po të ishte final do të nënshkruhej dhe do t'i dërgohej EULEX-it. "Ne kemi pasur për qëllim që t'i njoftojmë të gjithë anëtarët e Kryesisë dhe kryetarët e grupeve parlamentare që kanë pasur kopje të asaj letre se unë po i përgjigjem EULEX-it dhe mund të them se kam marrë një mbështetje nga anëtarët e Kryesisë, të cilët kanë qenë pjesë e diskutimeve atë ditë", tha z. Krasniqi.
Në pyetjen rreth deklarimit të ambasadorit Dell se kryetari i Kuvendit Krasniqi po sfidon institucionet ndërkombëtare, kryeparlamentari Krasniqi tha:" Puna ime dhe e Kuvendit mendoj se është transparente dhe gjithë opinioni e di angazhimin tim personal, por edhe punën që ka bërë Kuvendi i Kosovës gjatë gjithë këtyre viteve. Unë mendoj se Kosova ka përpara shumë probleme që duhet t'i zgjidh dhe që duhet ta qartësojë rrugën e vet për të ecur përpara, të natyrës politike, ekonomike, si dhe të sundimit të rendit dhe ligjit", tha kryekuvendari Krasniqi.