Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për ndryshimin e Kushtetutës
, 15.07.2011
Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme të drejtuar nga Arsim Bajrami, kryetar i Komisionit, i ka shqyrtuar përfundimisht dhe i ka miratuar konkluzionet dhe alternativat fillestare për amandamentimin e dispozitave të Kushtetutës që ndërlidhen me zgjedhjen e Presidentit. "Duke u bazuar në planin e punës dhe kalendarin e aktiviteteve të miratuara në fillim të mandatit, dhe me ndihmën e një grupi të gjerë të ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe veçanërisht USAID-i, NDI-a dhe IFES-i, komisioni ka përmbyllur me sukses fazën e parë të këtij procesi", ka theksuar Bajrami, i cili ka pohuar se janë indentifikuar rreth 30 çështje, të cilat duhen përfëshirë në Ligjin për Zgjedhjen e Presidentit.
Këto konkluzione dhe alternativa janë rezultat e punës intensive dy mujore të komisionit, dhe njëkohësisht reflektojnë përafrimin e qëndrimeve të anëtarëve të komisionit në shumë aspekte. Për shumicën e sfidave të identifikuara Komisioni ka propozuar më shumë se një zgjidhje, të cilat, nga dy grupet punuese, të cilat do të punojnë edhe gjatë verës, do të harmonizohen në një draft-propozim të këtyre ndryshimeve kushtetuese, si dhe përgatitja e Projektligjit për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të Presidentit.
Ndër të tjera .Bajrami ka deklaruar:"Komisioni do të sigurohet që të ketë përfshirje sa më të gjerë të ekspertëve dhe organizatave të shoqërisë civile, dhe paralajmëroi se në vjeshtë do të organizohen debate publike për tu konsultuar nga afër me qytetarët".
Komisioni për amandamentimin e Kushtetutës, është mandatuar nga Kuvendi që brenda nëntë muajve të bëjë ndryshimet e nevojshme në Kushtetutë dhe legjislacionin përkatës, për të mundësuar zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit.
Në mbledhje është pohuar se nga 15 shtatori do të ketë një fushatë mediale për sensibilizimin e qytetarëve për ndryshimet kushtetuese, kurse nga 1 tetori do të zhvillohet debat publik lidhur me ndryshimet e propozuara.
Amendamentet për Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligji për Presidentin do t'i dorëzohen Kuvendit për miratim në fillim të janarit të vitit të ardhshëm, është thënë më mbledhjen e Komisionit për amendamentimin e Kushtetutës.