Lajmet e fundit

Tryezë e Grupit të Grave Deputete

, 15.07.2011




Grupi i Grave Deputete të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me NDI-në, mbajti sot një tryezë lidhur reformën e Ligjit zgjedhor, në të cilën merrnin pjesë kryetarët e komisioneve për reformën zgjedhore dhe të atij për ndryshimet kushtetuese, përkatësisht Haki Demolli e Arsim Bajrami, si dhe deputetë, përfaqësues të partive politike, të forumeve të grave, përfaqësues të shoqërisë civile, ekspertë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare në Kosovë. Tryezën e udhëhoqi Alma Lama, ndërsa fjalën hyrëse e paraqiti Teuta Sahatqija, kryetare e Bordit të Grave Deputete. Në fillim të fjalës së vet znj. Sahatqija theksoi se Grupi i Grave Deputete angazhohet për fuqizimin e gruas në politikë dhe në segmentet tjera të jetës institucionale e shoqërore, mbi interesat partiake, të vetëdijshme se të gjitha gratë ballafaqohen me probleme të njëjta. Forcimi i demokracisë, tha ajo, nuk është i mundshëm pa pjesëmarrjen e gruas në të gjitha proceset shoqërore, pra edhe në vendimmarrje. Megjithë rezultatet e arritura,u shpreh Sahatqija, edhe më tutje gratë nuk mund të jenë të kënaqura me përfaqësimin e tyre në qeverisje dhe vendimmarrje, duke e ilustruar këtë edhe me të dhëna përkatëse. Një vështrim të gjerë aktivitetit të grave deputete, i bëri deputetja Flora Brovina, e cila theksoi se kuotën duhet ta kemi vetëm si një ndihmesë, ndërsa duhet të krijohet hapësirë e nevojshme që gratë me aftësitë e tyre të ballafaqohen në garën zgjedhore, në mbarë aktivitetet, për t' u zgjedhur edhe nga vota e drejtpërdrejtë.

Haki Demolli dha një pasqyrë të gjerë të aktiviteteve të Komisionit për Amendamentimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës , duke theksuar se ky komision brenda 12 muajve duhet të përfundojë amendamentimin në Ligjin mbi Zgjedhjet. Ky Komision , tha ai , ka formuar edhe grupin punues, ndërsa të gjithë janë të përqendruar veçanërisht në tri drejtime:identifikimin e problemeve zgjedhore, organizimin e debateve, si dhe draftimin e Ligjit dhe procedimin në kohën e planifikuar në Kuvend.

Duke folur për punën e Komisionit për Amendamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës , Arsim Bajrami, tha se pas largimit të dy presidentëve për shkak të shkeljeve kushtetuese u pa e nevojshme që presidenti të zgjidhet drejtpërdrejtë nga qytetarët. Në këtë mënyrë arrihet që presidenti të përfaqësojë unitetin dhe njëkohësisht sigurohet legjitimiteti i zgjedhjes së presidentit, neutraliteti i tij dhe stabiliteti i vendit, pasi presidenti dhe kryeministri do të zgjedhen ndaras. Për herë të parë, tha Bajrami, Kosova do të ketë Ligj zgjedhor për zgjedhjen e presidentit.

Deputetja Donika Kadaj foli për aktivitetet e Grupit të Grave deputete,sidomos sa i përket takimeve të këtij grupi me përfaqësues të subjekteve të ndryshme nga vendi dhe Evropa, ndërkaq drejtorja e NDI-së, Laura NIchols tha se ky subjekt do të ofrojë mbështetje në shumë aspekte, por sidomos me analiza komparative në këtë lëmë.
Në debatin e gjerë u tha se Grupi i Grave Deputete, si dhe të gjitha asociacionet e grave duhet të shtojnë angazhimet e tyre, që në kuadër të reformës zgjedhore të gjenden mënyrat e zgjidhjet sa më adekuate, të cilat do të reflektonin në përmirësimin e mëtejmë të pozitës së gruas në qeverisje dhe vendimmarrje. Në këtë frymë, megjithatë, kuota e 30 përqindëshit shihej si një zgjidhje tash për tash e pazëvendësueshme, ndërsa duhet të kihen parasysh propozimet e reja që bëhen, për të peshuar mirë e mirë se çfarë efekte do të prodhojnë.

Përfundime kryesore të tryezës ishin respektimi i kuotës dhe listat e hapura. Ndërkaq, përfundime të tjera të rëndësishme të tryezës dhe për të cilat u pajtuan njëzëri të gjithë pjesëmarrësit ishin: votimi i më shumë se një kandidati, funksionimi dhe forcimi i gjyqësorit, i cili do të ishte garant i respektimit të ligjit për zgjedhje, respektimi i ligjit për barazi gjinore në nivelin 40% në të gjitha institucionet , përmirësimi i aspektit teknik dhe rritja e transparencës, si dhe bugjetimi gjinor, i cili është esencial për implementimin e ligjeve të cilat adresojnë barazinë gjinore.

Si nevojë urgjente u adresua edhe demokratizimi i brendshëm i subjekteve politike, të cilat janë çelës i zhvillimit të demokracisë.

 

Tryezë e Grupit të  Grave Deputete