Lajmet e fundit

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Ekonomi...

, 15.07.2011




Për të pasur një pasqyrë reale për zbatueshmërinë e Ligjit për miniera dhe minerale, Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë,Tregti dhe Industri i Kuvendit të Kosovës mbajti sot dëgjim publik. Zenun Pajaziti, duke paraqitur qëllimin e këtij dëgjimi të organizuar nga Komisioni që ai udhëheqë tha: "Kuvendi në përgjithësi, dhe Komisioni në veçanti, duhet të arrijnë në konkludimin e saktë se sa është duke u zbatuar ligji në fjalë dhe sa është e njohur materia që e rregullon ky ligj. Cili është niveli i shërbimeve që i ofrojnë institucionet përkatëse dhe niveli i zbatimit të ligjit në tërësi?".

Në këtë dëgjim publik, përveç anëtarëve të Komisionit morën pjesë edhe përfaqësues të: Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE), kryetari i Kuvendit Komunal të Drenasit, përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit, Këshili i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), KEK-u, kompania "NEËKO FERONIKELI", Fakulteti Xehtaro-metalurgjik nga Mitrovica, kombinatit "Trepça" dhe përfaqësues të Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimt Hapësinorë (MMPH).Kryetari i informoi të pranishmit se Komisioni në bazë të Rregullores së Kuvendit, paraprakisht ka formuar grupin punues për monitorimin e ligjit.

Në vijim të debatit, fjalën e mori kryesuesja e grupit punues për monitorimin e ligjit, Sala Berisha- Shala, e cila kërkoi nga të pranishmit që të shprehin opinionet e tyre në lidhje me ligjin dhe nivelin e zbatimit të tij në praktikë.

Në vijim, fjalën e mori zv. ministri i MZHE-së, Gani Koci. Sipas Kocit, për të qenë i zbatueshëm në tërësi Ligji për miniera dhe minerale, ligji duhet edhe një herë t'u nënshtrohet procedurave të amendamentimit. Ndërkaq, duke folur për masat e marra nga MZHE-ja për zbatimin e ligjit që aktualisht është në fuqi, Koci vuri në pah angazhimet e deritashme të ministrisë. "Nga tetë akte administrative që duhet nxjerrë ministria lidhur me këtë ligj, dy janë të përfunduara dhe të tjerat janë në fazën e përfundimit të tyre", tha Koci. Mungesa e Strategjisë për Miniera dhe Minerale, vijoi Koci, e pamundëson zbatimin e ligjit. Ai, po ashtu vuri në pah se pa bashkëpunim të mirë në mes të KPMM-së dhe ministrisë së MMPH-së është i pa mundëshëm implementimi i ligjit. Në fund, zv. ministri Koci tha se ministria trajton me seriozitet obligimet që dalin nga ligji dhe premtoi se deri në shtator, ministria do të nxjerr aktet normative për të cilat i obligon Ligji për miniera dhe minerale.

Vërejtje rreth ligjit pati edhe përfaqësuesi i kombinatit "Trepça", i cili fillimisht vuri në spikamë emërtimin e gabuar të ligjit, i cili sipas tij do duhej të ishte: Ligji për xehetarinë e jo ashtu siç është aktualisht. Ai pati vërejtje edhe lidhur me afatin e licencave për hulumtim, të cilat ligji në fuqi i parasheh me afat shumë të shkurtë, gjë që sipas përfaqësuesit të kombinatit, pamundësojnë të bëjnë hulumtime afatgjata.

Po ashtu, mangësi të shumta rreth ligjit dhe shkaqe për mos implementim të tij paraqiti edhe përfaqësuesi i Fakultetit Xehtaro-metalurgjik nga Mitrovica. Duke e cilësuar ligjin në fuqi si ligj " vetëm të gurëthyesve", ai pati edhe vërejtje konkrete lidhur me dispozitat ligjore rreth rentave minerare dhe për zonat e interesit të veçantë.

Drejtori i KPMM-së, Ahmet Tmava, nga ana e tij theksoi se disa nga nenet e ligjit nuk gjejnë zbatim në mungesë të Strategjisë Minerale. Ndërkaq pengesat tjera i cilësoi të natyrës teknike dhe juridike.
Kryetari i Kuvendit Komunal të Drenasit, Nexhat Demaku, mungesë të ligjit në fjalë ngriti mungesën e një dispozite ligjore të ligjit, i cili do të parashihte përfitimet e komunës në rastet kur atyre i'u eksploatohet pasuria nëntokësore, apo për shkaqe të këtij eksploatimi ndotet ambienti.

Përfaqësuesi i KEK-ut, ndërkaq, vlerësoi se ligji nuk e rregullon qartë çështjen e sigurisë gjatë eksploatimeve në minierat sipërfaqësore, dhe, po ashtu, sigurimet bankare do duhej paraparë të jenë me afat më të gjatë.

Në fund të debatit, Komisioni vërejti se Ligji për miniera dhe minerale,( i cili ka më pakë se një vit që ka hyrë në fuqi), e përcjellin mangësi të shumta. Andaj, Komisioni vendosi që kryesuesja e grupit punues të sjellë në Komision rekomandimet në formë amendamentesh.

Ndërkaq, kryetari i Komisionit i inkurajojë të pranishmit që të fokusohen në implementimin e ligjit, derisa nuk ndodhin ndryshime në të.

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Ekonomi...