Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike

, 20.07.2011




Në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, kryesuar nga Ali Sadriu, kryetar i komisionit, u shqyrtua raporti i auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare të Radiotelevizionit të Kosovës, për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2010, në të cilën morën pjesë përfaqësues të RTK-së dhe të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm.

Shqetësimeve të anëtarëve të Komisionit lidhur me të gjeturat dhe vlerësimet e ZAP-it, iu përgjigjën kryetari i bordit të RTK-së, z. Rrahman Paqarizi, dhe drejtori gjeneral i RTK-së, z. Sylejman Shaqiri.

Duke u përgjigjur në pyetjet e anëtarëve të komisionit, përfaqësues të RTK-së theksuan se Bordi i drejtorëve te RTK-së e ka marrë shumë seriozisht raportin ZAP-it, ndërsa theksuan se kanë kornizuar edhe planin e vlerësimit për t'i adresuar çështjet që janë ngritur në këtë raport.

Pas një diskutimi të gjatë rreth këtij raporti, anëtarët e komisionit e përkrahën atë dhe mund të procedohet në Kuvend, me tri rekomandime shtesë drejtuar Kuvendit, RTK-së, si dhe ZAP-it.

Në vijim të mbledhjes u shqyrtua edhe raporti i auditimit të pasqyrave financiare të Administratës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2010, në të cilën morën pjesë Sekretari i Kuvendit të Kosovës, z. Ismet Krasniqi dhe udhëheqësi i divizionit për buxhet dhe pagesa në Kuvendin e Kosovës, z. Istret Azemi.

Me këtë rast sekretari i Kuvendit të Kosovës theksoi se vet fakti që ZAP-i gjatë auditimit të pasqyrave financiare të Administratës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, për vitin 2010 ka dalë me opinion të pakualifikuar, atyre u jep një vetëkënaqësi e cila duhet ta shtojë edhe më shumë seriozitetin e punës në Kuvend, meqë siç u shpreh ai ka mundësi të bëhet edhe më mirë.

Duke u përgjigjur në pyetjet e anëtarëve të komisionit rreth të gjeturave në këtë institucion, me theks të veçantë rreth çështjes së prokurimit, z. Krasniqi tha se në këtë rast bëhet fjalë për çështje teknike, gjë për të cilën mori edhe mbështetjen e anëtarëve të komisionit.

Anëtarët e komisionit pasi përkrahën raportin e auditimit të pasqyrave financiare të Administratës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2010, theksuan se administrata e Kuvendit të Kosovës është duke kryer punën e saj në mënyrën më të mirë të mundshme. Më tej disa nga anëtarët shtuan se veprimtaria e Kuvendit gjatë vitit 2010 ishte e suksesshme. Ndërsa u theksua se rekomandimet që janë adresuar nga Auditori i Përgjithshëm dhe zotimi i Sekretarit të Kuvendit për tendencë së vënies para përgjegjësisë së atyre që nuk kanë përmbushur rekomandimet e ZAP-it, tregon se ka ekzistuar një bashkëpunim i mirëfilltë mes tyre.

 

Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike