Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Kuvendit
, 21.07.2011
Fillimi i mbledhjen së sotme plenare të Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, ishte rezervuar për deklarime jashtë rendit të ditës, si dhe për pyetjet parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës, të cilave u janë përgjigjur ministrat: Ramë Buja, Ferid Agani, Bedri Hamza e Bajram Rexhepi. Kryeministri, Haqshim Thaçi, ndërkaq duke iu përgjigjur një pyetjeje lidhur me ratifikimin e marrëveshjeve të arritura me Serbinë, siç kishte premtuar më herët, është përgjigjur se nuk kemi të bëjmë me marrëveshje por me konkluzione, të cilat nuk ka nevojë të ratifikohen, por i ka garantuar deputetët se çfarëdo marrëveshje eventuale që mund të arrihet në dialogun Kosovë-Serbi, do të ratifikohet nga Kuvendi i Kosovës, konform Kushtetutës dhe Ligjit. Duke u përgjigjur për gjendjen energjetike në vend dhe premtimin elektoral të tij për 24 orë dritë, Thaçi është shprehur se aktualisht në Kosovë prodhohet 40 për qind më shumë energji elektrike se një vit më parë dhe se po punohet për konsolidimin e sistemit energjetik të Kosovës, duke përkujtuar deputetët edhe për veprimet që po ndërmerren për ndërtimin e termocentralit "Kosova e Re", që do ta stabilizojë përfundimisht furnizimin me energji elektrike.
Në vazhdim deputetët kanë shqyrtuar për herë të dytë dhe i kanë miratuar përfundimisht: Projektligjin për bashkëpunim ndërkomunal dhe partneritet, Projektligjin për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për themelimin e regjistrit te të drejtave të pronës së paluajtshme, Projektligjin për Këshillin Ekonomiko-Social, Projektligjin për mbrojtje nga zjarri, si dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 3/L- 010 për noterinë.
Për herë të parë, ndërkaq, janë shqyrtuar edhe miratuar në parim: Projektligji për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Projektligji për Agjencinë Kosovare të Privatizimit dhe Projektligji për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë së tyre, të prezantuara nga Ministri i Zhvillimit Ekonik, Besim Beqja , për të cilat është zhvilluar debat i nxehtë parlamentar, sidomos për atë të AKPP-së.
Në vazhdim janë shqyrtuar : Projektligji për statistikat zyrtare të Republikës së Kosovës Projektligji për arsimin e lartë në Republikën e Kosovës dhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr. 03/L-001 për përfitimin e ish zyrtarëve të lartë, të cilët i ka prezantuar ministri i Arsimit, Ramë Buja. Të pesë projektligjet janë miratuar në parim, duke i ngarkuar komisionet funksionale që në afatin ligjor të merren me amendamentimin e tyre.
Seanca i vazhdon punimet ditën e premte, në orën 10:00, për të shqyrtuar pesë pikat e mbetura të rendit të ditës.