Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut...
, 25.07.2011
Përmbushja e planit të veprimit të Kuvendit të Kosovës për integrime evropiane për vitin 2011, ishte tema që u shtrua sot në mbledhjen e Komisionit për të Drejtat e Njeriut Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione. Për përmbushjen e këtij plani, bazuar në pikën e dyzetë të tij, Komisioni kishte ftuar përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë dhe të asaj për Punë dhe Mirëqenie Sociale. Ftesës së Komisionit iu përgjigjën zv. ministrat Fatmir Shurdhaj, nga MPMS-ja, përkatësisht, Daut Xhemaili, nga Ministria e Drejtësisë (MD).
Fillimisht, kryetarja e Komisionit, Suzan Novobërdaliu, falënderoi zv. ministrat për gadishmërin e tyre për të dhënë sqarime lidhur me pyetjet që u ka adresuar Komisioni. Ajo në vijim sqaroi se Plani i Veprimit të Kuvendit të Kosovës rrjedh nga Raporti i Progresit të KE-së, andaj, vazhdoi Novobërdaliu, përpjekjet tona janë në drejtim të përmbushjes së obligimeve që dalin nga raporti.
Për angazhimet e MPMS-së në këtë plan, në vijim foli zv. ministri i kësaj ministrie Fatmir Shurdhaj. Ai me këtë rast njoftoi hollësisht për Skemën e Ndihmës Sociale në Kosovë (SKSK). Lidhur me këtë, Shurdhaj njoftoi se SKSK-ja, u dedikohet të gjitha familjeve (qytetarëve) të varfër në Kosovë pa dallim etnie, gjuhe, kombi e besimi fetar.
Duke iu referuar të dhënave statistikore të Departamentit të Mirëqenies Sociale pran kësaj ministrie, Shurdhaj njoftoi se në muajin qershor të këtij viti, në SNS janë 35.803 familje me 155.774 anëtarë. Nga përfituesit e kësaj ndihme, sqaroi ai, 79.14% të tyre janë të përkatësisë shqiptare, 11.22% të asaj serbe, 0.03% malazeze, 1.99 % myslimane etj.
Zv. ministri në vijim foli për kohëzgjatjen e ndihmës sociale, shumën mujore të përfituesve të kësaj ndihme, dhe grup moshën e përfitimit të saj.
Edhe zv. ministri i MD-së, Daut Xhemaili, duke folur për aktivitetet e marra nga kjo ministri, lidhur me obligimet e tyre të dala nga Raporti i Progresit, dha një pasqyrë të qartë për punën e deritashme të ministrisë. Ai me theks të veçantë foli për zbatimin e Kodit Penal për të Mitur.
Pas hyrjes në fuqi të Kodit Penal për të Mitur, vijoi Beqiri, MD-ja ka themeluar Këshillin Drejtues për reformimin dhe monitorimin e sistemit të drejtësisë për të mitur. Duke iu referuar Shërbimit Sprovues të Kosovës,dhe rolit të tij për ri integrimin e të miturve, Xhemaili solli një vistër aktivitetesh të ndërmarra nga ministria, në mënyrë që të miturit të mos përsërisin veprat penale. Lidhur me këtë, ai njoftoi për Programin e Përkujdesjes pas Lirimit, që është duke e zbatuar ministria. Ky program tha ai, u dedikohet të miturve pas lirimit nga burgu, për t'ua siguruar mbështetjen, apo shërbimet që kanë pasur në institucionin korrektues.
Zv. ministri, njoftoi edhe për memorandumin e nënshkruar në mes të MD-së dhe Ministrisë së Arsimit të Shkencës dhe Teknologjisë, me qëllim të funksionalizimit të plotë të shkollimit të të miturve.
Pas kësaj, Komisioni u mor me seleksionimin e dokumenteve të aplikuesëve për pesë zëvendësit e Avokatit të Popullit.
Po ashtu, lidhur me shqyrtimin e Raportit të Avokatit të Popullit, Komisioni konsideroi se në mbledhje duhet të jetë i pranishëm përfaqësuesi i zyrës, ose, vet Avokati i Popullit.