Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane

, 26.07.2011




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Integrime Evropiane, të kryesuar nga Lutfi Haziri, kryetar i komisionit, raportoi zv. kryeministri dhe Ministri i Drejtësisë z. Hajredin Kuçi, lidhur me përmbushjen e sfidave të Planit të Veprimit të Kuvendit për Integrim Evropian , për vitin 2011.

Gjatë prezantimit të tij para anëtarëve të Komisionit ministri Kuçi theksoi se është punuar në fushën e legjislacionit të identifikuar në Raportin e Progresit të vitit të kaluar dhe tanimë të gjitha ligjet e parapara në Raportin e Progresit të vitit të kaluar, në kuadër të kompetencës së Ministrisë së Drejtësisë, janë proceduar në Kuvendin e Kosovës, përveç kodit penal. Ai shtoi se sa i përket amendamentimit të kodit penal tashmë veçse e kanë marrë draftin final.

Duke u përgjigjur në pyetjet e anëtarëve të Komisionit, zv. kryeministri Kuçi tha se problem kryesor mbetet funksionalizimi i Gjykatave në Veri. "Ministria e Drejtësisë, Këshilli Gjyqësor dhe Prokurorial është i gatshëm që të bëjë veprime për bartjen e stafit në gjykatat në Mitrovicën e Veriut, Zubin Potok dhe Leposaviç dhe më këtë rast sigurisht se do të zvogëlohej numri i lëndëve" tha Kuçi.

Më tej ai shtoi se ekziston stafi adekuat, gjyqtarët dhe prokurorët të cilët janë të gatshëm për të kryer obligimet e tyre në këtë pjesë, por shtoi se ka munguar siguria për veprim. "Nuk kemi pasur mundësi të veprojmë pa e garantuar sigurinë e secilit punonjës në këto gjykata. Në këtë drejtim besojmë se pas krijimit të kushteve për siguri, gjyqtarët dhe prokurorët janë të gatshëm t'i kryejnë obligimet e veta atje", tha me këtë rast Kuçi.

Anëtarët e Komisionit kërkuan sqarime nga Ministri i Drejtësisë edhe rreth luftimit të korrupsionit , Ligjit për Mbrojtjen e Dëshmitarëve, Ligjit Antimafia dhe shumë çështje tjera.

Me këtë rast ministri Kuçi tha se luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar është prioritet i Qeverisë së vendit, duke përmendur themelimin e Task- Force e cila sipas tij është tejet e angazhuar dhe ka dhënë efektet e para për luftimin e korrupsionit. "Task-force i ka 8 prokurorë, 30 policë të specializuar për luftimin e korrupsionit , si dhe 5 ekspertë për çështje tjera...Me këtë rast janë dhënë efektet e para dhe ka mbi 100 raste që janë proceduar në forma të ndryshme", theksoi ai, duke sqaruar më tej se deri në fund të vitit do të procedohet në Kuvend edhe Ligji Antimafia.

Në pyetjen e deputetëve rreth vizitës së tij në Bruksel me ftesë të KE-së, ministri Kuçi tha se gjatë kësaj vizite kanë treguar përkushtimin e tyre për Integrimet Evropiane. Ai tha se atje ekziston një qasje pozitive në raport me Integrimet Evropiane, duke përmendur edhe pengesat politike nga 5 shtetet anëtare që nuk e kanë njohur ende Kosovën. Ai tha se beson që brenda këtij viti do të ketë lëvizje pozitive për dialogun për liberalizmin e vizave dhe po ashtu Raporti i Progresit do të dalë me qasje pozitive për vendin

Gjatë mbledhjes së sotme po ashtu u shqyrtuan dhe u përkrahën katër projektligje: Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Verërat, Projektligji për ndihmën shtetërore, Projektligji për mbrojtjen e dëshmitarëve , si dhe Projektligji për ndihmë juridike falas, të gjitha këto me amendamentet e komisioneve funksionale nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së.

 

 

Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane