Lajmet e fundit
UNDP-ja i dhuroi Kuvendit të Kosovës tetë lap-topë
, 27.07.2011
Sot në Kuvendin e Kosovës u organizua një ceremoni me rastin e dhurimit të një donacioni prej tetë lap-topësh për administratën e Kuvendit, nga ana e UNDP-së, organizatë kjo që mbështet punën e legjislativit.
Lap-topët e dhuruar do të shfrytëzohen nga zyrtarët e administratës së Kuvendit të Kosovës, të cilët mbështesin punën e komisioneve parlamentare.
Ceremoninë e hapi Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit të Kosovës, z. Ismet Krasniqi, i cili në fjalën e tij falënderoi UNDP-në për mbështetjen që i ka dhënë dhe po i jep Kuvendit, duke e konsideruar atë të mirëseardhur. Donacionin e fundit, Krasniqi e cilësoi si mundësi për ngritjen e kapaciteteve të zyrtarëve të administratës dhe shprehu nevojën që përkrahja të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Përfaqësuesi i UNDP-së, z. Sanaka Samarasinha, duke shfaqur kënaqësinë që gjendet në Kuvendin e Kosovës, bëri një përshkrim të fushëveprimtarisë së organizatës që përfaqëson, duke e potencuar përkrahjen që ajo, krahas organeve ekzekutive, po i jep edhe legjislativit. Samarasinha foli për rëndësinë e parlamentit dhe u ndal në nevojën e krijimit dhe të forcimit të kapaciteteve të brendshme, në mënyrë që parlamenti të kryej përgjegjësitë e tij. Ai shprehu përkushtimin që ta ndihmojë Kuvendin e Kosovës edhe në të ardhmen.