Lajmet e fundit

Mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës

, 28.07.2011




Mbledhjen e sotme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të kryesuar nga kryekuvendari, dr. Jakup Krasniqi, (një pjesë u kryesua nga nënkryetari z. Xhavit Haliti) deputetët e Kuvendit të Kosovës e filluan me një minutë heshtje në nderim të Heroit të Kosovës, policit të vrarë në veri të vendit, të ndjerit Enver Zymberi.

Para deputetëve të Kuvendit, për zhvillimet e fundit në Veri të Kosovës ka folur kreu i ekzekutivit të vendit, z. Hashim Thaçi. Fillimisht ai tha se Kosova është duke iu ofruar momentit të përmbylljes me sukses të pavarësisë së mbikëqyrur dhe se misioni i pamundur 12 vjeçar për vënien e rendit dhe ligjit në Veri të Kosovës tani po bëhet i mundur dhe realitet nga institucionet e vendit.

Ai shtoi se Qeveria e Republikës së Kosovës duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, javën e kaluar ka marrë vendim për ratifikimin e masave të reciprocitetit për mallrat e importuara nga Serbia. Ky vendim ka filluar të zbatohet në të gjitha pikat kufitare, me përjashtim të pikave kufitare 31 dhe 1.
"Unë si kryeministër i vendit kam autorizuar Policinë e Kosovës që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për vendosjen e sundimit të rendit dhe ligjit dhe zbatimit për reciprocitet në pikën 1 dhe 31. Gjatë ballafaqimit për vënien e rendit dhe ligjit në këtë pjesë, heroikisht ka rënë në krye të detyrës Enver Zymberi.", tha ai.

z. Thaçi me këtë rast theksoi se dje në orët e pasdites një grup i organizuar kriminal i udhëhequr nga strukturat paralele serbe dhe nga autoritetet e Beogradit kanë sulmuar fillimisht pikën 1, e më pas atë 31.

Ai sqaroi se pika 1 është djegur dhe dëmtuar në masë të madhe, ndërsa pika 31 është mbrojtur nga forcat e KFOR-it dhe ato të Policisë së Kosovës.
"Këto veprime të dhunshme janë urdhëruar, koordinuar dhe udhëhequra nga strukturat me të larta politike të qeverisë së Serbisë. Kjo është vërtetë për të ardhur keq. Në ndërkohë, forcat e KFOR-it dhe Policia e Kosovës kanë mbajtur kontrollin në pikën 31, ndërsa pika 1 është rimarrë nga forcat e KFOR-it dhe aktualisht është mbyllur për qarkullim", informoi deputetët e Kuvendit kryeministri i vendit.

Thaçi shtoi se po respektohet në përpikëri reciprociteti dhe se nuk do të ketë rikthim pas dhe zmbrapsje.

"Masat e reciprocitetit me Serbinë do të instalohen dhe zbatohen në gjitha pikat kufitare me Serbinë dhe kjo do të zgjasë derisa Serbia nuk e ndryshon qëndrimin e saj" theksoi ai.

Duke dënuar këto veprime të dhunshme, kryeministri i vendit tha se këto veprime të bandave kriminale janë urdhëruar dhe koordinuar nga strukturat më të larta politike të Beogradit.

"Ritheksoj se nuk do të bëjmë kompromis me askënd për sigurinë e vendit tonë. Rregullimi brendshëm i shtetit të Kosovës është i përcaktuar qartë në Kushtetutën e Kosovës dhe se integriteti territorial i vendit është i njohur edhe ndërkombëtarisht, "tha ai.

Kreu i ekzekutivit të vendit tha me këtë rast se nuk do të lejohet ndryshimi i kufijve të vendit e cila është aspiratë e liderëve të rinj serb, të një mentaliteti të vjetër të politikës së Beogradit.

Në emër të Qeverisë së Kosovës ai shprehu falënderimet e tij drejtuar autoriteteve të KFOR-it të cilët siç tha ai sakrifikuan dhe nuk lejuan banditët serb të marrin kontrollin, dhe se KFOR është duke ofruar siguri të plotë.

"Në asnjë rrethanë dhe me asnjë çmim nuk do të ketë asnjë hap prapa. Nuk do të ketë rikthim prapa më gjendjen e para katër ditëve. Qeveria e Kosovës është konsultuar dhe koordinuar me të gjithë faktorët që punojnë për vendosjen e rendit dhe ligjit në vend dhe se ky vendim i drejtë është përkrahur nga ata që duan rend dhe ligj në Kosovë', tha kryeministri i Kosovës.

Më tej i pari i ekzekutivit tha se masat e reciprocitetit do të instalohen dhe zbatohen në të gjitha pikat kufitare në Serbi derisa Serbia nuk e ndryshon qëndrimin e saj, ndërsa shtoi se nuk do të ketë dialog me Serbinë për rregullimin e brendshëm të Republikës së Kosovës, dhe siguroi se nuk do të ketë kthim prapa dhe skenari i Serbisë për ndarjen e veriut të Kosovës nuk do të ndodhë kurrë dhe me asnjë çmim.

Ai tha se me veprimet e fundit të dhunshme të Serbisë edhe një herë është demaskuar publikisht politika e Beogradit ndaj Kosovës dhe se nuk do të biem në grackën e tyre.

Duke falënderuar qytetarët e Kosovës për solidaritetin që kanë treguar gjatë këtyre ditëve kryeministri i Qeverisë së Kosovës ftoi qytetarët e vendit që ta ruajnë qetësinë dhe të kenë besim tek institucionet e Shtetit të Kosovës, në KFOR-in- dhe në NATO-n.

"Ju garantoj që do ta kthejmë rendin dhe ligjin në veri të vendit me çdo çmim. Keni besim tek ne dhe ruani qetësinë. Ne nuk do të zmbrapsemi. Për Kosovën do të këtë vetëm ecje përpara. Misioni ynë është më shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës", tha krejtësisht në fund të fjalës së tij kryeministri i vendit Hashim Thaçi.

Meqë në seancën e sotme të rregullt ishte paraparë që të shqyrtohen një varg projektligjesh, deputetët e Kuvendit të Kosovës u dakorduan që për shkak të zhvillimeve të fundit në Veri të Kosovës, të ndryshojnë rendin e ditës dhe të mbajnë seancë të jashtëzakonshme për ngjarjet në veri të vendit.

Me këtë rast është paraqitur shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, deputeti Adem Grabovci, i cili theksoi se në koordinim me grupet parlamentare janë dakorduar që të anashkalohet rendi i ditës së seancës së sotme dhe të diskutohet lidhur me gjendjen në Veri të Kosovës, për të diskutuar lidhur me nxjerrjen e një rezolutë në Kuvend në përkrahje të vendimeve dhe veprimeve të Qeverisë së Kosovës për vënien e rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës.

Grabovci me këtë rast theksoi vendimi i Qeverisë së Kosovës ka qenë në përputhje të plotë me Kushtetutën e vendit , ndërsa ka falenderuar deputetët e Kuvendit të Kosovës të cilët kanë qenë të njëzëshëm dhe të një mendimi në këtë pikë. Rikonfirmojmë mbështetjen e Qeverisë së vendit që i jep institucioni më i lartë i vendit, Kuvendi i Kosovës.

Mocioni për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme dhe nxjerrjen e një rezolute lidhur më këtë çështje është përkrahur njëzëri nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, në mënyrë që të qëndrojnë karshi situatës aktuale atje.

Pas deklarimeve të shefave të grupeve parlamentare pro diskutimeve për gjendjen në veri të vendit dhe për nxjerrjen e një rezolute të me këtë rast para deputetëve të Kuvendit të Kosovës projektrezoluta u paraqit nga ana e deputetit të PDK-së, Adem Grabovci.

Deputeti Ismet Beqiri, në emër të grupit parlamentar të LDK-së duke i quajtur veprime kriminale sulmet në veri, të nxitura nga strukturat paralele serbe, theksoi se gjendja në këtë pjesë është e rrezikuar. Beqiri tha se Grupi Parlamentar i LDK-së dënon ashpër sulmin ndaj pikave kufitare në veri dhe djegien e tyre nga banda serbe. Me këtë rast ai u bëri thirrje strukturave ndërkombëtare të sigurisë që të përmbushin mandatin e tyre për gjendjen e sigurisë në vend.

Grupi Parlamentar i LDK-së shprehu mbështetjen e saj për vendosjen e rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës për luftimin e krimit, korrupsionit dhe kontrabandës, duke bërë thirrje njëkohësisht qytetarëve që të ruajnë qetësinë.

Në emër të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje! foli Glauk Konjufca i cili fillimisht ka hedhur një varg akuzash ndaj kryeministrit Thaçi. Me këtë rast ai tha se vendimi i Qeverisë së Kosovës shihet si një vendim i vonuar, megjithatë ai shtoi se pas aksionit të Qeverisë fatkeqësisht më shumë kemi të bëjmë më një polici të gatshme për Qeverinë, por me një Qeveri të pagatshme për policinë.

Ndonëse inkurajoi vullnetin qeveritar për marrjen e asaj që na takon, pika kufitare 1 dhe 31, Konjufca tha se është koha që të reflektojmë edhe për mangësitë dhe gabimet. Kjo nuk është thirrje për të mos vepruar por thirrje për veprim më të planifikuar, tha Konjufca, i cili në emër të Lëvizjes Vetëvendosje propozoi pesë pika për zgjidhjen e situatës. U kërkua që Presidentja e vendit të shpall gjendje të jashtëzakonshme në gjithë territorin e Republikës së Kosovës; të ndërpritet menjëherë dhe zyrtarisht procesi i bisedimeve me Republikën e Serbisë; Kosova duhet që në këtë situatë emergjente të thellojë bashkëpunimin me Shqipërinë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shtetet e Bashkimit Evropian që na kanë njohur, si dhe Turqinë për strategjinë e ushtrimit të autoritetit të Republikës së Kosovës në gjithë territorin e shtetit tone; Kosova menjëherë të fillojë diskutimet me Brukselin për përfundimin e misionit të EULEXit, dhe ridefinimin e pranisë së BE-së në Kosovë, si dhe; në seanca të vazhdueshme me Kuvendin e Kosovës, qeveria ta diskutojë strategjinë e marrjes së kontrollit në veri të vendit.

Ndërsa, Ahmet Isufi në emër të grupit parlamentar të AAK-së theksoi se tri vjet pas pavarësisë së vendit tashmë ka një interesim për të pasur rend dhe ligj në vend si dhe zbatim të Kushtetutës së Kosovës në veri të vendit. Kjo është një shenjë e mirë për qytetarët dhe vendin por dërgimi i njësive speciale në veri dhe tërheqja e menjëhershme e tyre rezultoi me të dhënat që i kemi tani. Ai tha se kemi djegien e pikës 1 dhe tendencën për djegien e pikës 31, plagosjen e disa policëve atje, si dhe prezencën e instrumenteve të institucioneve të Serbisë në Veri të Kosovës. Ai tha se kjo qeveri edhe më tej flet për dialogun ndërsa në veri nxitet dhuna e brishtë nga personat me të cilët ka dialoguar Qeveria.
Isufi më tej kërkoi nga Q
everia e Kosovës bashkë me instancat ndërkombëtare, veçanërisht nga KFOR-i, që në veri të ketë liri të lëvizjes dhe funksionim normal të jetës së lirë të qytetarëve.

Edhe deputetja Myzejene Selmani në emër të grupit parlamentar të AKR-së, përkrahën në parim rezolutën e grupit parlamentar të PDK-së, duke kërkuar nga Qeveria e Kosovës angazhim për bashkëpunim me SHBA-të, BE-në dhe NATO-n për për vendosjen e rendit dhe ligjit, dhe kushtetueshmërisë në pjesën veriore të vendit.

Me këtë rast mori fjalën kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, i cili theksoi se Qeveria e Kosovës do ta respektojë çdo rezolutë e cila do të nxirret nga Kuvendi i Kosovës, ndërsa informoi deputetët e Kuvendit se gjatë ditës së sotme do të mbahet mbledhja e Këshillit të Sigurimi, në Nju Jork, në të cilën mbledhje qëndrimin e Qeverisë së Kosovës do ta prezantojë ministri i Punëve të Jashtme, z. Enver Hoxhaj, si dhe do të informojë për situatën e krijuar në vend.

Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, gjatë diskutimit të tyre fillimisht kanë shprehur ngushëllimin e tyre për rënien në detyrë të heroit të Kosovës, Enver Zymberi, ndërsa shprehën shqetësimin e tyre për rrjedhat e fundit në Veri të Kosovës duke theksuar njëkohësisht se vendimi i Qeverisë së Kosovës ka qenë në përputhje të plotë me Kushtetutën e vendit.
Disa nga deputetët e Kuvendit të Kosovës duke përshëndetur vendimin e kryeministrit, këshilluan Qeverinë për një kujdes më të shtuar ndaj kësaj situate.

Duke e quajtur tutje veprimin e Qeverisë si një veprim legal dhe legjitim për mbrojtjen e Kushtetutës së Kosovës, u tha se Kosova e ka vullnetin e mirë për të ushtruar kontrollin e plotë në tërë territorin e Kosovës, por nuk e ka kapacitetin ta bëjë vetëm këtë veprim, andaj u kërkua që të bashkëpunohet me partnerët ndërkombëtarë.

Duke kërkuar njëzëri që të ruhet rendi dhe qetësia u tha se ky veprim nuk guxon të ndalen.

Deputetët po ashtu kanë kritikuar edhe praninë e EULEX-it në Kosovë, madje u tha se tash e tutje duhet të diskutohet prania e tyre në raport me Kosovën, ndërkaq u kërkua ndërprerja e menjëhershme e bisedimeve me Serbinë..

Duke e quajtur vendimin e Qeverisë së Kosovës për marrjen nën kontroll të pikave kufitare në Veri të Kosovës si një vendim të arsyeshëm, u dhanë një varg lëvdatash edhe për Policinë e Kosovës.

U theksua se tentimi për të vënë nën kontroll pjesën veriore të vendit është legjitime, ndërsa tërheqja e menjëhershme në emër të një kompromisi apo lëshimi pe i kësaj çështje, mund t'i sjell dëme të mëdha vendit.

Pas vërejtjeve dhe rekomandimeve që dhanë deputetët e Kuvendit gjatë debatit të sotëm, rezoluta u prezantua nga deputeti Adem Grabovci, e cila me shumicë votash u mbështet nga deputetët e Kuvendit të Kosovës:


Duke u nisur nga neni 2.2 dhe nga neni 65.1 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nga neni 6.1 i Rregullores së Kuvendit:

Duke u nisur nga e drejta e institucioneve për ushtrimin e kontrollit efektiv në tërë territorin e Kosovës;

Duke u nisur nga parimet bazë të dokumenteve ndërkombëtare për Kosovën;

Duke u nisur nga e drejta e shteteve sovrane për kontroll të kufijve të vet,
Kuvendi i Republikës së Kosovës , në seancën e datës 28 korrik 2011 nxori këtë:

Rezolutë

1. Kuvendi i Republikës së Kosovës mbështet të drejtën kushtetuese të institucioneve për ushtrimin e kontrollit të plotë në tërë territorin e Republikës së Kosovës
2. Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon që të respektohen masat e reciprocitetit me Serbinë në të gjitha pikat doganore
3. Kuvendi i Republikës së Kosovës fton Bashkësinë Ndërkombëtare për të përkrahur institucionet e vendit në vendosjen e rendit dhe ligjit në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës
4. Kuvendi i Republikës së Kosovës u bën thirrje të gjithë qytetarëve, pa asnjë dallim, që të ruajnë qetësinë, rendin kushtetues dhe sundimin e ligjit në Republikën e Kosovës
5. Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon nga Qeveria të vazhdojë në angazhimin e saj për vendosjen e autoritetit kushtetues në pikat kufitare 1 dhe 31 dhe në ndërmarrjen e veprimeve tjera për shtrirjen dhe ushtrimin e sovranitetit në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

 

Mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit të KosovësMbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit të KosovësMbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës