Lajmet e fundit
Nga mbledhja plenare e Kuvendit
, 29.07.2011
Kuvendi i Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme plenare, të udhëhequr nga kryetari dr. Jakup Krasniqi (një pjesë të mbledhjes e udhëhoqi nënkryetari Xhavit Haliti), ka miratuar në parim pesë projektligje dhe tri sosh në shqyrtim të dytë.
Ministri i Financave, Bedri Hamza, në emër të Qeverisë së Kosovës, ka prezantuar para deputetëve Projektligjin për Komisionin e pavarur të mediave, Projektligjin për partneritet publiko-privat, Projektligjin për transmetimin publik në Kosovë, Projektligjin për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin funksionit publik dhe atë për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publikë dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë.
Për dy projektligjet e fundit, paraprakisht, Kuvendi vendosi që të shqyrtohen me procedurë të përshpejtuar.
Gjatë prezantimit, ministri Hamza foli në mënyrë të përgjithshme për përmbajtjen e tyre dhe rëndësinë që kanë ato në kompletimin e legjislacionit të fushëveprimtarive përkatëse dhe rregullimin ligjor të tyre.
Projektligjet iu nënshtruan diskutimeve nga ana e deputetëve, të cilët shkoqitën aspekte të ndryshme të tyre, duke dhënë vërejtje dhe sugjerime për ndryshimin dhe modifikimin e neneve të caktuara. Pas debateve për secilin projektligj, Kuvendi miratoi në parim ato, duke angazhuar komisionet përkatëse që brenda afatit të përcaktuar t'ia paraqesin atij raportet me rekomandime.
Kuvendi vazhdoi me votimin në lexim të dytë të disa projektligjeve të tjera. Pas votimit një për një të amendamenteve, Kuvendi miratoi Projektligjin për ndihmën shtetërore, Projektligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe atë për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për verërat.
Me kërkesë të Komisionit për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim, për afat shtesë për paraqitje të raportit, ndërkaq, u shty shqyrtimi në lexim të dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre në Republikën e Kosovës. U shty, gjithashtu, edhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndihmën juridike falas, sipas rekomandimit të Komisionit për Buxhet dhe Financa.
Në vazhdim, u shqyrtua dhe mori miratimin e Kuvendit, Raporti i auditimit të pasqyrave vjetore financiare të Radiotelevizionit të Kosovës, për vitin 2010. U miratuan, po ashtu, edhe disa ndryshime të anëtarëve nëpër komisione parlamentare, të propozuara nga Grupi Parlamentar i SLS-së dhe ai i Koalicionit Kosova e Re.
Deputetët u njoftuan që Kuvendi do të jetë në pushim nga 1 - 20 gusht.