Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së
, 19.08.2011
Shqyrtohet Projektligji për Agjencinë Kosovare të Forenzikës.
U diskutua lidhur me çështjen aktuale të sigurisë në vend.
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, kryesuar nga Ahmet Isufi, kryetar i komisionit, u shqyrtua Projektligji për Agjencinë Kosovare të Forenzikës. Me këtë rast anëtarët e komisionit e përkrahën atë në parim, si dhe caktuan grupin e punës për amendamentimin e këtij projektligji.
Gjatë këtij takimi anëtarët e komisionit diskutuan edhe për çështjen aktuale të sigurisë në vend. Duke folur për ngjarjet e fundit në veri të Mitrovicës, anëtarët e komisionit theksuan se janë në pritje të një raporti me shkrim nga Ministria e Punëve të Brendshme lidhur me ngjarjet e fundit. Ndërsa, u kërkua që gjatë ditëve në vijim të ftohet edhe ministri i Punëve të Brendshme, z. Bajram Rexhepi për të raportuar para anëtarëve të komisionit lidhur me gjendjen e sigurisë në vend, si dhe hapat që do të ndërmerren në të ardhmen. Gjatë këtij takimi u tha se duhet të kërkohet përgjegjësi edhe nga gjyqësia dhe prokuroria lidhur me ngjarjet e 25 korrikut.
Më tej u theksua se duhet të zbatohet Kushtetuta dhe ligjet në fuqi në gjithë territorin e Kosovës, ndërsa duhet të vazhdohen veprimet institucionale në veriun e Kosovës, në mënyrë që të ketë zbatim të ligjit, kushtetutës, rend dhe qetësi në vend.