Lajmet e fundit
Vazhdimi i mbledhjes plenare të Kuvendit të Kosovës
, 31.08.2011
U miratuan nëntë projektligje.
Organet përkatëse të hetuesisë së Republikës së Kosovës kanë identifikuar dhe përgatitur kallëzime penale edhe për një numër të konsiderueshëm të atyre personave për të cilat ka prova të mjaftueshme se janë përgjegjës për cenimin e sovranitetit shtetëror të Republikës së Kosovës tash e 12 vjet, tha kryeministri i Kosovës z. Hashim Thaçi.
Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës kanë vazhduar mbledhjen plenare gjatë ditës së sotme, e cila u kryesua nga nënkryetari i Kuvendit, z. Xhavit Haliti, për të shqyrtuar në lexim të dytë një sërë projektligjesh.
Fillimisht para deputetëve të Kuvendit mori fjalën kryeministri i vendit, z. Hashim Thaçi, për të njoftuar deputetët lidhur me zhvillimet e fundit në veriun e Kosovës pas masave të reciprocitetit dhe vendimit të qeverisë për marrjen e kontrollit të pikave 1 dhe 31 në këtë pjesë. Z. Thaçi theksoi se si përkushtim i Qeverisë së Kosovës ka mbetur vënia e rendit dhe ligjit në atë pjesë të territorit të Kosovës, andaj informoi se hetimet e përbashkëta të Policisë së Kosovë dhe EULEX-it lidhur me funksionimin e strukturave kriminale dhe ilegale, si dhe lidhur me vrasjen e pjesëtarit të Policisë së Kosovës, heroit Enver Zymberaj, janë zhvilluar me sukses.
Me këtë rast ai sqaroi se Prokuroria e Kosovës ka lëshuar një numër të caktuar të fletëarrestimeve të personave që dyshohet të jenë përgjegjës për veprimtarinë e këtyre strukturave ilegale kriminale, por edhe me vrasjen makabre.
Më tej ai shtoi se për të zbatuar urdhërin e prokurorit për të sjellë para drejtësisë personat që dyshohet se janë përgjegjës për vrasjen, sot organet përkatëse të ndjekjes, së bashku me ndihmën e KFOR-it kanë zhvilluar dhe janë duke zhvilluar një operacion të gjerë në veri të vendit për kapjen e personave të dyshuar për vrasjen, të cilët janë pjesëtarë të strukturave ilegale kriminale të financuara e të mbështetura drejtpërdrejt nga Beogradi.
Kryeministri i vendit më tej theksoi se operacioni ende nuk ka përfunduar dhe aktualisht janë konfiskuar evidenca të rëndësishme të funksionimit të strukturave kriminale, ilegale dhe paramilitare serbe, por edhe armë të ndryshme që janë përdorur gjatë veprimeve të tyre terroriste.
z. Thaçi tha se organet përkatëse të hetuesisë së Republikës së Kosovës kanë identifikuar dhe përgatitur kallëzime penale edhe për një numër të konsiderueshëm të atyre personave për të cilat ka prova të mjaftueshme se janë përgjegjës për cenimin e sovranitetit shtetëror të Republikës së Kosovës tash e 12 vjet.
Më tej ai shtoi se Beogradi zyrtar qëndron prapa strukturave kriminale në veri të vendit dhe se sipas të dhënave të institucioneve të rendit të Republikës së Kosovës, rezulton se këto struktura kriminale po shndërrohen në struktura paramilitare. Kryeministri Thaçi tha se ditët e këtyre strukturave janë të numëruara, ndërsa apeloi tek Beogradi zyrtar që të mos strehojë vrasësit e heroit të Kosovës, policit, Enver Zymberi dhe të respektojë fletëarrestet ndërkombëtare.
Krejtësisht në fund ai shtoi se jemi të përkushtuar të vazhdojmë dialogun për çështje praktike mes Kosovës dhe Serbisë, meqë fqinjësia e mirë është parakusht i domosdoshëm për integrime evropiane dhe ne jemi të zotuar të vazhdojmë, tha me këtë rast kryeministri i vendit.
Më tej Kuvendi vazhdoi me shqyrtimin e projektligjeve në shqyrtim të dytë, mirëpo para fillimit të shqyrtimit të projektligjeve të cilat ishin në rend të ditës së sotme, deputeti Ismet Beqiri në emër të grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, paraqiti kërkesën e tyre lidhur me seancën e kaluar të 29 gushtit, që ka të bëjë me Projektligjin për Prokurimin Publik. Me këtë rast ai kërkoi që ky projektligj i cili është miratuar në seancën e kaluar të rikthehet në votim, përkatësisht amendamenti i pestë i këtij projektligji. Kërkesa e Beqirit u përkrah nga deputetët e Kuvendit, e cila mori mbështetjen e deputetëve edhe gjatë votimit të tyre, si dhe ligjit në tërësi.
Në vazhdim të mbledhjes deputetët shqyrtuan dhe përkrahën Projektligjin për mbrojtjen e informatorëve, me rekomandimet e Komisionit për Legjislacion, sikurse që u mbështetën edhe Projektligji për përgjegjësinë e personave juridik për vepra penale, si dhe Projektligji për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik. Deputetët me shumicë votash miratuan edhe Projektligjin për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet penale, si dhe Projektligji për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë, të cilat amendamente i prezantoi deputeti Arben Gashi, kryetar i Komisionit për Legjislacion.
Gjatë shqyrtimit të Projektligjit për Dhomën e veçantë të Gjykatës Supreme të Kosovës që lidhet me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, deputetët e përkrahën atë, megjithëse ky projektligj ngjalli debat tek deputetët për faktin se ky projektligj nuk është shqyrtuar në Komisionin për Legjislacion.
Krejtësisht në fund deputetët kanë shqyrtuar dhe përkrahur edhe Projektligjin për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Projektligjin për masat mbrojtëse në importe, si dhe Projektligjin për personat e zhdukur.