Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Krasniqi u takua sot me Nuncin Apostolik, z. Juliusz Janosz
, 05.09.2011
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, u takua sot me Nuncin Apostolik, z. Juliusz Janosz, me seli në Ljublanë, i cili njëkohësisht mbulon edhe Kosovën.
Gjatë këtij takimi Nunci Apostolik, z. Juliusz Janosz fillimisht ka falënderuar kryeparlamentarin Krasniqi për mikëpritjen që i bëri atij.
Ndërsa, kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi pasi i uroi mirëseardhje Nuncit Apostolik, z. Juliusz Janosz, i shprehu mirënjohje Vatikanit për politikën miqësore që ka ndaj Kosovës.
Krasniqi po ashtu tha se i është mirënjohës edhe Papa Gjon Palit II për interesimin e tij që pati gjatë luftës në Kosovë dhe pas saj. "Me Vatikanin na lidh edhe afërsia shpirtërore, këtë e dëshmojnë edhe marrëdhëniet e mira me Kishën Katolike në Kosovë" , tha z. Krasniqi.
Ata në vijim biseduan për zhvillimet e gjithmbarshme, si dhe për respektin që gëzon Kisha Katolike në Kosovë.
Me këtë rast kryeparlamentari Krasniqi shprehu kërkesën që Vatikani ta njohë Pavarësinë e Kosovës, meqë siç tha ai, tanimë janë pjekur kushtet për këtë .