Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

, 06.09.2011




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, pasi ka konstatuar se nuk ka material të mjaftueshëm që të mbahet seanca plenare gjatë kësaj jave, ka shqyrtuar një varg propozimesh, kërkesash dhe rekomandimesh në funksion të mbarëvajtjes së legjislativit të vendit.

Kryesia e ka miratuar rekomandimin e Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me kërkesën e Administratës së Kuvendit për ridestinimin e projekteve kapitale në buxhetin e Kuvendit të Kosovës, për vitin 2011, si dhe ka vendosur që konform nenit 30.2 të Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë dhe neneve 14.1 dhe 15.1 të Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës, për vitin 2011, të kërkohet nga ministri i Financave, autorizimi për transferin e projekteve kapitale në Buxhetin e Kuvendit të Kosovës për vitin 2011.

Kryesia ka miratuar gjithashtu rekomandimin e Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me Raportin e shpenzimeve të Kuvendit, për gjashtëmujorin e vitit 2011, duke konstatuar se raporti i përmbush kushtet ligjore për raportim që dalin nga Ligji për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë dhe Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë.

Anëtarët e Kryesisë në mbledhjen e sotme janë njoftuar nga sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, lidhur më Projektin e Binjakëzimit: "Mbështetje për Kuvendin e Republikës së Kosovës", të financuar nga Komisioni Evropian. Projekti, në vlerë prej 1.5 milion euro, do të realizohet në afatin prej dy vjetësh nga Parlamenti i Hungarisë.

Kërkesën e ripërsëritur të Këshillit Organizativ "Drejtësi në Rastin Kiçna" për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme lidhur me rastin "Kiçina", Kryesia ia ka deleguar Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, që ta shqyrtojë rastin dhe Kuvendit t'i paraqesë Raportin me Rekomandime.

Kryesia e ka tumirë propozimin që në bashkëpunim me NDI-së, më 15 shtator 2011, Kuvendi i Republikës së Kosovës të shënojë Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, duke e lejuar më këtë rast edhe improvizimin e një seance plenare nga përfaqësues të organizatave rinore të Kosovës.

 

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit