Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Krasniqi takoi kryetarët e komisioneve parlamentare
, 07.09.2011
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka takuar sot kryetarët e komisioneve parlamentare, me të cilët trajtoi çështje aktuale të punës së komisioneve parlamentare, duke e vlerësuar shumë të suksesshme punën e legjislativit në Sesionin pranveror, gjatë të cilit janë miratuar 37 ligje, nga 69 projektligje të proceduara nga Qeveria e Kosovës, që e dallon për së miri këtë sesion, nga periudha e njëjtë e legjislaturave të kaluara.
Krasniqi e ka vlerësuar të suksesshme punën e komisioneve parlamentare, andaj ka falënderuar anëtarët dhe drejtuesit e tyre për zellin e treguar, madje edhe gjatë kohës së paraparë për pushimin vjetor të deputetëve dhe të stafit të administratës së Kuvendit të Kosovës. Ai ka kërkuar nga kryetarët e komisioneve që puna të vazhdojë me të njëjtin ritëm edhe për miratimin e 27 projektligjeve, të cilat gjenden në procedurë parlamentare, si dhe për procedimin e projektligjeve të tjera që tanimë kanë ardhur ose do të vazhdojnë të vijnë nga ministritë përkatëse të Qeverisë së Kosovës.
Në vazhdim të takimit kryetarët e komisioneve kanë raportuar për projektligjet që kanë shqyrtuar dhe për ato që i presin në Sesionin vjeshtor të Kuvendit, duke shprehur zotimin se do t'i përfundojnë me sukses dhe në afatet e parapara me Rregulloren e Kuvendit.
Në këtë takim është shtruar edhe nevoja e shtimit të rolit mbikëqyrës të Kuvendit ndaj ekzekutivit të vendit, kurse duke i konstatuar kërkesat enorme të agjencive të krijuara nga Kuvendi për shtim të buxhetit për funksionim dhe për paga të bordeve drejtuese të tyre, është kërkuar që në mënyrë urgjente të hartohet dhe të procedohet në Kuvend Projektligji për pagat e nëpunësve të lartë publik.