Lajmet e fundit
Deklaratë e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, me rastin e 10 vjetorit të sulmit terrorist në SHBA
, 11.09.2011
Me rastin e 10 vjetorit të sulmit terrorist, të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, nëpërmjet të një deklarate, kujton me dhimbje të madhe humbjen e jetës të mijëra qytetarëve të pafajshëm. Në deklaratë thuhet:
" Në këtë përvjetor të dhembshëm të humbjes së jetës të rreth tre mijë qytetarëve nga sulmi terrorist në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës, shpreh solidaritetin e popullit të Kosovës, të Kuvendit dhe timin personalisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sulmi terrorist i 11 shtatorit nuk ishte vetëm kundër SHBA-ve, por edhe kundër demokracisë dhe lirisë së qytetarëve në mbarë botën.
Perspektiva e botës së sotme, gjithnjë e më demokratike, nuk është terrorizmi, por siguria, paqja dhe miqësia.
Duke vlerësuar lart marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve tona dhe duke qenë mirënjohës për gjithë ndihmën që SHBA-të kanë dhënë për Kosovën në këto vite vendimtare të historisë së saj, në emër të Kuvendit të Kosovës, u dërgoj SHBA-ve dhe popullit amerikan mesazhin e miqësisë së sinqertë dhe besimin për thellimin e vazhdueshëm të këtyre marrëdhënieve."