Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut...
, 13.09.2011
Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione i Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Suzan Novobërdaliu, kryetare, ka shqyrtuar raportin vjetor të Institucionit të Avokatit të Popullit (IAP) për vitin 2010.
Para komisionit, raportin e prezantoi Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, i cili njëherësh iu përgjigj pyetjeve dhe çështjeve të ngritura nga deputetët. Ai foli për kërkesat dhe ankesat që i adresohen institucionit që udhëheq, si dhe për aktivitetet e tjera brenda fushëveprimtarisë së ti, të përcaktuar me Kushtetutë dhe ligj. Kurteshi iu përgjigj pyetjeve të deputetëve që kishin të bënin me gjendjen në gjyqësi, lirinë e mediave, pavarësinë e Institucionit të Avokatit të Popullit, uzurpimin e pronave të tij në veri të Kosovës etj.
Avokati i Popullit, ndër të tjera, shtroi nevojën e një bashkëpunimi edhe më të ngjeshur ndërmjet këtij institucioni dhe komisionit parlamentar.
Raporti vjetor, krahas të cilit u diskutua edhe për raportin mbi pengesat në përmbushjen e misionit kushtetues të IAP-it si pasojë e cenimit të pavarësisë së tij, u miratua njëzëri nga komisioni dhe u procedua për në seancë plenare.
Në vazhdim të mbledhjes, komisioni shqyrtoi një varg kërkesash të qytetarëve si dhe planin e punës së komisionit për muajt në vijim.