Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane

, 13.09.2011




"Raporti i Progresit të Komisionit Evropiane nuk mund të jetë as pozitiv, as negativ, por do të jetë një raport real", theksoi fillimisht ministrja e Integrimeve Evropiane, znj. Vlora Çitaku gjatë raportimit të saj para anëtarëve të Komisionit për Integrime Evropiane, të kryesuar nga Lutfi Haziri, kryetar i komisionit.

Duke prezantuar pritjet e Qeverisë së Kosovës për Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën, në prag të publikimit të tij, që pritet të bëhet më 12 tetor, ministrja e Integrimeve Evropiane duke u përgjigjur në pyetjet e anëtarëve të komisionit tha se bazuar në procesin e stërzgjatur elektoral dhe krizën e mëparshme të institucioneve të vendit, qeveria dhe parlamenti kanë pas afat të shkurtër kohor për të adresuar sfidat e dala nga Raporti i Progresit.

Megjithatë, shtoi ajo, se pavarësisht kontestit kohor për këtë çështje, të gjitha institucionet e Kosovës kanë tejkaluar pritjet dhe kanë punuar me një dinamizëm të shtuar. Më tej ajo theksoi se institucionet e vendit i kanë arritur detyrimet të cilat janë identifikuar në raportin e KE-së dhe në masë të madhe i kanë përmbushur,tha Çitaku duke vlerësuar se janë miratuar një mori ligjesh të cilat janë në fazën e implementimit.

Me këtë rast ministrja Çitaku sqaroi se javën e ardhshme do të qëndroj në Bruksel, me ç‘rast do të bëhet edhe leximi i Raportit të Progresit të KE-së.

"Raporti i KE-së nuk do të sjellë befasi, meqë jemi në dijeni se çfarë kemi përmbushur gjatë kësaj faze. Porse, është shumë e rëndësishme edhe mënyra se si do të përgjigjemi ne për Raportin e Progresit", tha znj. Çitaku. Pas publikimit të raportit në muajin tetor gjer në muajin dhjetor, kur të mbahet mbledhja e Këshillit të Ministrave të BE-së, kemi dy muaj kohë për të treguar seriozitetin dhe mënyrën se si do t'i qasemi leximit të Raportit të Progresit, tha ajo duke shtuar se kanë angazhuar një ekip të cilët do të identifikojnë objektivat strategjike dhe prioritare për vitin e ardhshëm.

Ministrja Çitaku ftoi deputetët e Kuvendit që të trajtojnë ligjet të cilat janë me prioritet , ato ligje të cilat kanë mbetur akoma pa u miratuar.
Duke përshëndetur miratimin e ligjeve të cilat janë miratuar në Kuvend, Çitaku ka përmendur në veçanti miratimin e Ligjit për Prokurimin Publik, i cili ligj ka qenë sfidë e identifikuar dy vite me radhë në Raportin e Progresit.

Duke folur për liberalizimin e vizave ajo sqaroi se në Kosovë ka arritur misioni vlerësues i KE-së, të cilët do të qëndrojnë në Kosovë gjer në fund të kësaj jave, me ç‘rast do të vizitojnë disa komuna të Kosovës dhe mbi bazën e vlerësimit të tyre do të përgatiten rekomandimet e KE-së për Këshillin e Ministrave të BE-së lidhur me hapjen e dialogut dhe marrjen e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave.

Tutje ajo tha se në të gjitha komunat e Kosovës është shënuar një progres i jashtëzakonshëm dhe po trajtohet me prioritet procesi i riintegrimit të personave të riatdhesuar.

Gjatë këtij takimi i ftuar ishte edhe u.d. i shefit të Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, z. Khaldoun Sinno, i cili tha se është përmirësuar bashkëpunimi mes Qeverisë dhe komisioneve parlamentare në Kosovës, gjë e cila duhet të vazhdojë kësisoj. Ndërsa, theksoi se asgjë paraprakisht nuk mund të thuhet për Raportin e Progresit të KE-së për Kosovën meqë publikimi i tij do të bëhet më 12 tetor. "Raporti i Progresit meqë bazohet në burime të shumta, ai është një raport i saktë", theksoi Sinno.

Duke përmendur mbështetjen e KE-së në komisionin parlamentar, Sinno tha se projekti i binjakëzimit me Hungarinë duhet të jetë shembull për komisionin parlamentar. Ai shtoi se pret një parlament të fortë i cili duhet ta dijë rolin e tij.

Anëtarët e komisionit shprehën shqetësimet e tyre rreth ligjeve të sponzoruara nga Qeveria të cilat vijnë në Kuvend. Madje disa nga anëtarët e komisionit theksuan se ka ligje të cilat nuk janë në përputhshmëri me legjislacionin e BE-së, porse ka edhe ligje të cilat i sjellë qeveria me implikime buxhetore, të cilat më pastaj nuk implementohen.

Në pyetjet e anëtarëve të komisionit se kur do të prodhohen pasaportat biometrike, ministrja e Integrimeve Evropiane tha se është përfunduar procesi tenderimit dhe nënshkrimi i kontratës me kompaninë për prodhimin e këtyre pasaportave, ndërsa qytetarët e Kosovës gjatë muajit tetor do të fillojnë të pajisen me pasaporta biometrike.

Anëtarët e Komisionit theksuan se Kuvendi i Kosovës ka përmbushur objektivat e tij në përgjithësi, përveç dy ligjeve të cilat nuk janë miratuar.

Komisioni për Integrime Evropiane në mbledhjen e sotme ka shqyrtuar dhe përkrahur Projektligjin për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë së tyre, me amendamentet e komisionit funksional, i cili projektligj është në përputhshmëri me legjislacionin e BE-së.

 

Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane