Lajmet e fundit
Deklaratë e kryetarit të Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, me rastin e vendosjes së policëve dhe doganierëve në kufirin verior të Kosovës
, 16.09.2011
Vendosja e policëve dhe doganierëve të Kosovës në pikat kufitare 1 dhe 31 është rezultat i vendosmërisë së Qeverisë për zbatimin e Planit të saj, në bashkëpunim me EULEX-in dhe KFOR-in dhe me përkrahjen e gjerë ndërkombëtare, për vendosjen e pushtetit dhe ligjit në veri të Kosovës.
Përshëndes këtë veprim legjitim të Qeverisë dhe falënderoj misionin e EULEX-it si dhe KFOR-in për mbështetjen që po i bëjnë të drejtës së Kosovës e të institucioneve të saj dhe për kontributin e tyre në shërbim të paqes, të sigurisë e të rendit në Kosovë.
Dëshiroj të përshëndes gjithashtu qytetarët e veriut të Kosovës për përmbajtjen e tyre, duke ruajtur rendin dhe qetësinë dhe duke evituar eksese me pasoja të rënda.
Vendosja e ligjshmërisë, e rendit dhe pushtetit në veri të Kosovës është e drejtë e patjetërsueshme, por edhe obligim kushtetues i institucioneve të Kosovës, nga të cilat qytetarët e asaj treve, jo vetëm nuk do të kenë asnjë dëm e të keqe, por përfitime të gjithanshme, duke filluar nga siguria e paqja dhe deri te zhvillimi i gjithanshëm dhe mirëqenia e përgjithshme.
Vendosja e pushtetit atje nuk është veprim kundër interesave të mirëfillta të shtetit serb dhe aq më pak kundër qytetarëve të Kosovës në veri të saj.
Shpreh bindjen që raportet midis Kosovës dhe Serbisë, herët a vonë do të karakterizohen me ulje tensionesh, me bashkëpunim dhe respekt të ndërsjellë, sepse ky është interesi i popujve të të dy vendeve dhe ky do të jetë caku i rrugëtimit tonë të përbashkët drejt procese integruese në Bashkimin Evropian.