Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për amendamentimin e Kushtetutës të Republikës së Kosovës
, 20.09.2011
Komisioni për Amendamentimin e Kushtetutës të Republikës së Kosovës, ka mbajtur mbledhjen e radhës në të cilën ka miratuar draftin e parë të amendamenteve kushtetuese që ndërlidhen me zgjedhjen e Presidentit të Kosovës.
Në këtë mbledhje, kryetari i komisionit, Arsim Bajrami, ka njoftuar për rrjedhën e procesit, duke potencuar se procesi është duke shkuar në kohë ashtu siç është paraparë me planin e veprimit dhe në përputhje të plotë më mandatin që ka komisioni.
"Falë angazhimit të rregullt që kanë dhënë anëtarët e këtij komisioni, kontributit të ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë si dhe shoqërisë civile, Kosova do të jetë e gatshme që vitin e ardhshëm t'i mbajë zgjedhjet presidenciale", theksoi Bajrami.
Komisioni ka arritur që për disa amendamente kushtetuese të bëjë ndryshimet e nevojshme, mirëpo do të mbesin alternativa të hapura për të cilat komisioni do të vendosë në debatet publike me qytetarë. Këto debate do të mbahen në 11 qytete të Kosovës, nga 4 tetori deri më 4 nëntor.
Debatet publike do t' ju mundësojnë qytetarëve t'i japin idetë dhe opinionet e tyre në këtë proces që është i rëndësisë së veçantë. Nga qytetarët do të marrim opinionet se, a duhet të ketë Kosova zëvendëspresident, kush duhet ta propozojë presidentin, a mund të mbajë presidenti më shumë se një shtetësi, ku do të betohet presidenti, përgjegjësinë e presidentit si dhe për çështje të tjera.
Sa i përket ligjit për presidentin, është dakorduar që të definohet nëse do të mbesin dy ligje apo të shkrihen në një ligj të vetëm. Drafti i parë i këtij ligji pritet të dorëzohet nga fundi i nëntorit.
Sugjerimet e qytetarëve do të mund të adresohen edhe përmes adresave elektronike: kushtetuta@assembly-kosova.org dhe ustav@assembly-kosova.org.