Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kuvendit

, 22.09.2011




Në mbledhjen e sotme të Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, (një pjesë të saj e ka drejtuar nënkryetari, Sabri Hamiti) pas deklarimeve të deputetëve jashtë rendit të ditës, seancës i është drejtuar ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, i cili, sipas kërkesës së mëhershme të Kryesisë së Kuvendit, ka paraqitur një informatë për gjendjen në veri të Kosovës.

 

Ai i ka përkujtuar deputetët se Qeveria pas miratimit të konkluzioneve të arritura më 2 shtator për vulat dhe tregtinë e lirë, në kuadër të CEFTA-s, në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, por edhe në bashkëpunim me EULEX-in dhe KFOR-in ka hartuar planin për funksionalizimin e pikave doganore 1 dhe 31. Ai ka pohuar se Grupi ndërministror, i drejtuar nga kryeministri Thaçi, ka pasur takime të shpeshta për hartimin e planit të veprimit në Veri. Plani është realizuar me sukses, ka theksuar Rexhepi, duke shtuar se Kosova tashmë kontrollon pikat në Jarinë dhe Bërnjak.

Tutje ministri i Brendshëm ka shkoqitur disa elemente të këtij plani të veprimit: Komandanti i pikës është nga Policia kufitare e Kosovës. Doganierët e kanë rolin e tyre në doganë. Detyrat operacionale i kryejnë përfaqësuesit e EULEX-it, kurse sigurinë e plotë, në një perimetër të duhur, e bën KFOR-i, ka sqaruar Rexhepi, i cili ka theksuar se "Vija e gjelbër" edhe të gjitha vendkalimet ilegale kontrollohen nga pjesëtarë të KFOR-it, duke e eliminuar krejtësisht kontrabandën. Bartja e doganierëve bëhet me helikopterë të EULEX-it, apo të KFOR-it. Aksioni është përkrahur gjerësisht si e drejtë legjitime e Kosovës, për të vënë kontroll në pikat e veta doganore, është shprehur ministri. Ai ndërkaq ka sqaruar se, në këto pika nuk do të zhdoganohen mallrat me akcizë, sepse shumë kriminelë në ato pika janë pasuruar dhe forcuar duke e shkelur ligjin. Rexhepi i ka quajtur të paligjshme barrikadat e ngritura nga serbët në pjesën veriore të Kosovës dhe ka shprehur shqetësimin se nëse nuk ndërmerret diç për eliminimin sa më shpejt të tyre, mund të paraqitet edhe mungesë furnizimet me artikuj ushqimorë për një pjesë së popullsisë që jeton në atë anë të Kosovës. "Nëse nuk bëjnë punë presionet e Brukselit ndaj regjimit të Beogradit që të hiqen barrikadat, atëherë duhet të koordinohemi me EULEX-in dh KFOR-in, për ta zgjidhur problemin", ka theksuar Rexhepi. Ai, ndërkaq, ka përgënjeshtruar zërat se nuk ka siguri për popullsinë shqiptare dhe komunitetet e tjera në komunat me popullsi shumicë serbe në veri. Siguria për ta është e plotë, i ka garantuar ministri i Brendshëm Rexhepi deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Në vazhdim ministrat e Qeverisë së Kosovës: Ferit Agani, Mahir Aygcilar, Blerand Stavileci, Vlora Çitaku, Bajram Rexhepi dhe Nenad Rashiq, u janë përgjigjur deputetëve në pyetjet parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës.

Kuvendi në vijim ka shqyrtuar dhe miratuar disa raporte të komisioneve parlamentare: Raportin e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Minierat dhe Mineralet, të cilën e ka prezantuar kryetari i këtij komisioni, Zenun Pajaziti, Raportin e Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për financat e pushtetit lokal, Raportin vjetor të punës së Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, për vitin 2010, si dhe Rekomandimin e Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me Buxhetin e Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, të cilat i ka prezantuar kryetarja e Komisionit për Buxhet dhe Financa, Safete Hadërgjonaj.

Në vazhdim të seancës deputetët janë marrë me shqyrtimin për herë të parë të: Projektligjit për Qeverinë e Republikës së Kosovës, si dhe të Projektligjit për të huajt, prezantuar nga ministri i Punëve të brendshme, Bajram Rexhepi.

Projektligjin për Agjencinë e Kosovës për mbrojtje nga rrezatimi dhe siguria bërthamore e ka paraqitur zv.kryeministri i Kosovës, Bujar Bukoshi.

Për herë të dytë, ndërkaq, janë shqyrtuar: Projektligji për mbrojtje nga fatkeqësitë natyrore dhe nga fatkeqësitë tjera, Projektligji për zjarrfikje dhe shpëtim, si dhe Projektligji për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë së tyre.

Seanca i vazhdon punimet nesër në orën 10:00.

 

 

 

Nga mbledhja e KuvenditNga mbledhja e Kuvendit