Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

, 27.09.2011




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme të drejtuar nga Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka miratuar rendin e ditës për mbledhjen plenare të 6 tetorit, si dhe ka përcaktuar rendin e ditës për këtë seancë.

Do të procedohet me dy pikat zakonshme të së seancave të rregullta: deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës, kurse në vazhdim do të shqyrtohen për herë të parë: Projektligji për sistemin e adresave dhe Projektligji për dhënien e dekoratave nga Presidenti i Republikës së Kosovës.

Në të njëjtën seancë do të shqyrtohen : Propozim-vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me përcaktimin e përgjegjësive dhe procedurave të zbarkimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, Raporti i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Themelimin e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm dhe Zyrës së Auditimit të Kosovës, Projekt-plani hapësinor 2010-2020 - Zona me interes të veçantë ekonomik "Fusha e Mihjes së Re", Propozim-Strategjia e Planit të Veprimit për Biodiversitetin 2011-2020, Raporti vjetor i Avokatit të Popullit, për vitin 2010, Raporti vjetor i punës të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, për vitin 2010, si dhe Propozimi i Avokati të Popullit për zgjedhjen e zëvendësve të tij.

Në përfundim të seancës plenare deputetë do të njoftohen për ndarjen e mandateve të deputetëve nga radha e komuniteteve: ashkali, egjiptian dhe goran për përfaqësimin e tyre në Komisionin për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve.

Është marrë qëndrim, ndërkaq, që nëse plotësohen procedurat e parapara ligjore në komisionet përkatëse, në seancën e 6 tetorit mund të shqyrtohen edhe projektligje të tjera.

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit