Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Krasniqi priti një delegacion nga Bundestagu gjerman
, 04.10.2011
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka pritur sot në takim një delegacion nga Bundestagu gjerman, të kryesuar nga Alexander Ulrich, deputet i Parlamentit Federal Gjerman.
Vizita e delegacionit gjerman u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit parlamentar, gjegjësisht mbështetjes gjermane për Kuvendin e Kosovës. Ajo kishte për qëllim dhënien e bursave parlamentare (IPS) për studentë të rinj nga Kosova, të cilët në kuadër të studimeve në universitetet gjermane, gjatë qëndrimit të tyre disa mujor në Gjermani, do të bëjnë edhe një praktikë parlamentare, drejtpërdrejt në Bundestagun gjerman.
Kryetari Krasniqi tha se studimet e të rinjve të Kosovës në Gjermani, përbën një ndihmë të çmuar për Kuvendin e Kosovës, për të cilën ai e falënderoi deputetin gjerman.
Kryetari i Kuvendit çmoi lart përkrahjen dhe ndihmën e gjithanshme që Gjermania i ka dhënë Kosovës dhe në veçanti, Kuvendit të saj. Kreu i legjislativit foli edhe për bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë dhe shfaqi interesimin për ta thelluar edhe më tej atë, në dobi të interesave reciproke dhe të miqësisë ndërmjet dy vendeve. Krasniqi, gjithashtu, dha një pasqyrë të situatës aktuale në Kosovë dhe të proceseve nëpër të cilat po kalon vendi.
Deputeti gjerman, Alexander Ulrich, duke e falënderuar kryetarin Krasniqi për pritjen, vuri në pah mbështetjen e Gjermanisë për Kosovën, e cila sipas tij, do të vazhdojë edhe më fuqishëm në të ardhmen, në të gjitha fushat. Duke folur për procesin e integrimeve evropiane, Ulrich theksoi se në të ardhmen, i gjithë Ballkani Perëndimor do të përfshihet në Bashkimin Evropian. Ai theksoi, gjithashtu, se kancelarja gjermane Merkel, ia ka bërë shumë të qartë Serbisë se duhet të zgjidhë të gjitha problemet e saj me shtetet fqinje.