Lajmet e fundit
Kryekuvendari Krasniqi priti shefin e OSBE-së në Kosovë, ambasadorin Werner Almhofer
, 05.10.2011
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, kishte sot një takim me shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadorin Werner Almhofer. Në këtë takim u fol për bashkëpunimin ndërmjet OSBE-së dhe Kuvendit të Kosovës, përkatësisht për ndihmën e mëtejme që OSBE-ja do t' i ofrojë Kuvendit. Kryekuvendari Krasniqi duke folur për ndihmën e vazhdueshme që OSBE-ja po i jep Kuvendit, përmendi mbështetjen e OSBE-së ndaj komisioneve parlamentare, grupeve parlamentare, administratën e Kuvendit, donacionet për pajisje të ndryshme për nevoja të Kuvendit, funksionalizimin e zyrave të deputetëve në aneksin e objektit të Kuvendit,pajisjen e zyrave sipas specifikimeve të Kuvendit etj. Kreu i legjislativit të vendit i bëri një vështrim edhe procesit të reformës zgjedhore në Kosovë.
Ambasadori Werner Almhofer pasi u falënderua për pritjen dhe për bashkëpunimin e deritashëm, tha se OSBE-ja do të ndihmojë edhe më tutje Kuvendin e Kosovës. Në këtë frymë , tha ai, angazhohen të gjitha shtetet anëtare të OSBE-së. "OSBE-ja do të jetë e përkushtuar edhe në ofrimin e ndihmës së saj në reformën zgjedhore", theksoi ambasadori Almhofer.