Lajmet e fundit
Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Republikës së Kosovës vizitoi Parlamentin Evropian
, 06.10.2011
Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Republikës së Kosovës, më 4 dhe 5 tetor 2011, ka qëndruar në Bruksel, në një vizitë në Parlamentin e Evropës. Delegacioni nga Kuvendi i Kosovës, i udhëhequr nga kryetarja e Komisionit për Buxhet dhe Financa, znj. Safete Hadergjonaj, përbëhej nga anëtarët e Komisionit për Buxhet dhe Financa dhe nga Sekretari i Kuvendit, z. Ismet Krasniqi.
Vizita e delegacionit nga Kosova në Parlamentin Evropian u organizua nga Projekti për Financa Publike i Bashkëpunimit Ndërkombëtar Gjerman (GIZ), ndërsa qëllimi i saj ishte vendosja e kontakteve ndërmjet parlamentarëve nga Kosova dhe atyre nga Parlamenti Evropian, si dhe informimi i këtyre të fundit me zhvillimet më të fundit në Kosovë e në veçanti me punën e legjislativit.
Me 4 tetor 2011 delegacioni nga Kosova u takua me znj. Doris Pack, kryetare e Komisionit parlamentar për Arsim dhe Shkencë. Me zonjën Pack parlamentarët e Kosovës diskutuan për çështje të ndryshme aktuale në politikën e Kosovës dhe këmbyen idetë lidhur me gjetjen e zgjidhjeve në mënyrë që Kosova sa më shpejtë të ketë mundësinë e hyrjes në marrëveshje kontraktuale me BE-në.
Po ashtu në të njëjtën ditë anëtarët nga Kosova u takuan edhe me znj. Tanja Fajon, anëtare e Komisionit për të Drejta Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme dhe anëtare-zëvendësuese në Delegacionin e PE-së për marrëdhënie me vendet e Evropës Juglindore. Në këtë takim, theks i veçantë iu kushtua çështjes së liberalizimit të vizave për Kosovën, aktiviteteve që institucionet e Kosovës kanë kryer për të përmbushur kërkesat e nevojshme si dhe rolit që PE-ja ka në këtë proces.
Komisioni po ashtu u takua me z. Rainer Wieland, nënkryetar i Parlamentit Evropian, me të cilin diskutoi në përgjithësi për zhvillimet politike në rajon dhe intensifikimin e marrëdhënieve ndërmjet parlamentarëve nga Kosova dhe atyre nga Parlamenti Evropian.
Në ditën e dytë të qëndrimit në Bruksel, Komisioni për Buxhet dhe Financa u takua me përfaqësuesit e Komisionit Evropian, përkatësisht z. Stefano Dotto, nga Drejtoria për Zgjerim - Zyra për Kosovë dhe z. Plamen Kaloyanchev, nga Drejtoria për Çështje Ekonomike dhe Financiare - Zyra për vendet kandidate dhe ato me status të para-kandidatit për në BE. Në këto takime delegacioni nga Kosova diskutoi zhvillimet e arritura në Kosovë, me theks të veçantë në përmbushjen e vërejtjeve të adresuara në Raportin e Progresit për vitin e kaluar. Përfaqësuesit e Komisionit Evropian dhe anëtaret e delegacionit nga Kosova u pajtuan se ende mbesin shume sfida për Kosovën, por megjithatë janë vërejtur përmirësime të cilat janë evidentuar dhe do të figurojnë në Raportin e Progresit që do të bëhet publik javën e ardhshme.
Po të njëjtën ditë Komisioni u takua edhe me z. Eduard Kukan, deputet i PE-së dhe kryetar i Delegacionit të Parlamentit Evropian për marrëdhënie me vendet e Evropës Juglindore. Në kuadër të këtij takimi u diskutuan tema të rëndësishme për integrimin e Kosovës në BE dhe marrëdhëniet e Kuvendit të Kosovës me Parlamentin Evropian. Z. Kukan theksoi se duhet të organizohen më shpesh vizita dhe takime të tilla ndërmjet parlamentarëve, për të këmbyer idetë dhe informacionet. Ai konfirmoi përkrahjen që është duke dhënë për Kosovën dhe theksoi se delegacioni i PE-së për Marrëdhënie me Vendet e Evropës Juglindore vazhdimisht kërkon nga Këshilli dhe nga Komisioni që çështja e Kosovës të jetë sa më lart në agjendën e këtyre institucioneve.
Delegacioni nga Kosova po ashtu zhvilloi një drekë pune me Znj. Ulrike Lunacek, anëtare e Komisionit për Politikë të Jashtme dhe anëtare-zëvendësuese e Delegacionit të PE-së për Marrëdhënie me Vendet e Evropës Juglindore. Lunacek prezantoi aktivitetet e saj dhe të PE-së në mbështetje të proceseve të afrimit të Kosovës me BE-në, me theks të veçantë në liberalizimin e vizave.
Anëtarët e Komisionit për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Kosovës, ndërkaq, prezantuan punën që është bërë nga institucionet e Kosovës në përmbushjen e obligimeve që kanë dalë nga Raporti i Progresit të Komisionit Evropian për vitin 2010, sidomos në fushën e financave dhe në miratimin e ligjeve në këtë drejtim.
Në fund të vizitës anëtarët e delegacionit nga Kosova morën pjesë në debatin e organizuar nga Grupi joformal i Deputetëve të PE-së me temë: zhvillimet aktuale në Kosovë. Prezantuesit kryesorë në debat ishin: znj. Ana Gomes, anëtare e Komisionit për Politikë të Jashtme dhe z. Ruud Van Enk, zëvendës-udhëheqës i njësisë për Kosovën ne Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerim të Komisionit Evropian. Debati u përmbyll me konludimin se Kosova ka të ardhme evropiane dhe se duhet të gjinden alternativa për t'i ikur problemit të krijuar nga mosnjohja e Kosovës nga ana e pesë shteteve anëtare të BE-së.