Lajmet e fundit

Sabri Hamiti priti një delegacion të gjerë të përfaqësuesve të partive e të shoqërisë civile nga Egjipti

, 12.10.2011




Nënkryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Sabri Hamiti, priti sot  një delegacion të gjerë të përfaqësuesve të partive, të shoqërisë civile dhe të mediave nga Egjipti, kryesuar nga Safat Hamauda Hegazy Ramadan, i cili po qëndron në një vizitë në Kosovë. Pasi u shprehu mirëseardhje, z. Sabri Hamiti i bëri një vështrim strukturës së Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se ai përbëhet nga 120 deputetë, nga të cilët 100 janë nga popullsia shumicë shqiptare , ndërsa 20 nga komunitetet. Pakicat, tha Hamiti, janë të përfaqësuara edhe në Qeverinë e Kosovës e në institucione të tjera. Në Kosovë bëhet jetë parlamentare demokratike me pozitë dhe opozitë, ndërsa sa i përket çështjes nacionale dhe ndërtimit të shtetit të Kosovës ka konsensus. Sfida themelore të deputetëve janë ndërtimi i shtetit dhe i demokracisë, si  dhe sundimi i ligjit në tërë territorin e vendit, pasi ekzistojnë probleme  në një pjesë të territorit në kufi me Serbinë.

Duke folur për procesin e njohjeve të shtetit të pavarur të Kosovës, Sabri Hamiti tha:”Presim njohje të reja nga shtetet, ndërsa me padurim presim njohjen e shtetit të Kosovës edhe nga ana e Egjiptit, si vend kyç i botës arabe dhe botës islame . Jemi të bindur se njohja e pavarësisë së Kosovës do të rrezatojë për njohje të reja edhe nga shtetet tjera”, theksoi z. Hamiti.

Udhëheqësi i delegacionit egjiptian, Safat Hamauda Hegazy Ramadan, në fillim shprehu kënaqësinë e delegacionit për qëndrimin në Kosovë. Si në fjalën e tij, ashtu edhe të anëtarëve të tjerë të delegacionit, u shpreh ndjenja e lartë për miqësinë ndërmjet popullit të Egjiptit dhe atij të Kosovës, duke theksuar se miqësia ndërmjet egjiptianëve dhe shqiptarëve ka rrënjë të thella e histori të gjatë. Me fjalë të zgjedhura ata folën edhe për sakrificat sublime, si ajo e familjes Jashari, për pavarësinë e Kosovës. Anëtarët e delegacionit shprehën  dëshirën këmbëngulëse të forcave politike të Egjiptit që sa më parë të njihet pavarësia e Kosovës, madje ata shprehnin keqardhje që njohja nuk është bërë edhe më parë. Populli i Egjiptit e njeh pavarësinë e Kosovës, por këtë duhet ta formalizojnë  institucionet e përkatëse shtetërore të Egjiptit, të cilat sapo kanë filluar të konstituohen. Duke u ndërlidhur me këtë vendosmëri të anëtarëve të delegacionit, Sabri Hamiti tha:”Kjo më impresionon, sepse ky popull zgjedh përfaqësuesit e vet, të cilët do ta njohin Kosovën”.

Të dy palët pajtoheshin në konstatimin se njohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e Egjiptit do të hapë gjerësisht mundësitë e bashkëpunimit ndërparlamentar, por edhe ndërmjet institucioneve të tjera. Delegacioni egjiptian propozoi që të themelohet edhe një shoqatë e miqësisë Egjipt-Kosovë.

Sabri Hamiti priti një delegacion të gjerë të përfaqësuesve të partive e të shoqërisë civile nga Egjipti