Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike
, 12.10.2011
U shqyrtua Raporti i auditimit për importim, blerje vendore dhe shkëmbime të energjisë elektrike nga KEK-u, për vitin 2010
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, të kryesuar nga Ali Sadriu, kryetar i komisionit, raportoi drejtori menaxhues i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Arben Gjukaj. Temë diskutimi i këtij takimi ishte shqyrtimi i Raportit të auditimit për importim, blerje vendore dhe shkëmbime të energjisë elektrike nga KEK-u, për vitin 2010.
Përfaqësues të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm (ZAP) dhanë sqarime para anëtarëve të komisionit lidhur me raportin e auditimit të rregullsisë. Ata vlerësuan se subvencionet janë shfrytëzuar sipas qëllimit për të cilin edhe janë dedikuar këto mjete. Mes tjerash u tha se gjatë procesit të prokurimit nuk kanë hasur në ndonjë dobësi për ta prezantuar në këtë raport. Megjithatë, përfaqësues të ZAP-it shtuan se gjatë procesit të auditimit kanë vërejtur disa dobësi tjera, me theks të veçantë në sistemin e kontrollit.
Gjatë këtij takimi, u theksua se KEK-u gjatë vitit 2010 nuk kishte arritur të sigurojë energji elektrike të mjaftueshme për konsumatorët e vendit, megjithëse kjo ndërmarrje kishte mjete për import nuk ka arritur ta stabilizojë furnizimin me energji elektrike, ishin kritikat e anëtarëve të komisionit.
Anëtarët e Komisionit duke përkrahur Raportin e auditimit për importim, blerje vendore dhe shkëmbime të energjisë elektrike nga KEK-u, për vitin 2010, theksuan se raporti ishte pozitiv dhe se gjatë vitit të kaluar ka pasur menaxhim të mirë në këtë kompani.
Anëtarët e Komisionit mes tjerash kërkuan sqarime nga drejtori menaxhues i KEK-ut lidhur me subvencionin qeveritar të aprovuar për KEK-un, për vitin 2010, duke vlerësuar se ka pasur shfrytëzimin jo të plotë të subvencionit.
Kritika të ashpra u drejtuan edhe lidhur me sistemin ABC, duke e cilësuar këtë si diskriminim ndaj qytetarëve. Me këtë rast anëtarët e komisionit kërkuan nga drejtori menaxhues i KEK-ut që të gjejnë ndonjë zgjidhje lidhur me shkyçjet, duke kërkuar që kjo të bëhet në mënyrë individuale.
Drejtori menaxhues i KEK-ut, Arben Gjukaj, duke u përgjigjur në pyetjet dhe shqetësimet që u ngritën gjatë këtij takimi theksoi se KEK-u është zotuar se do t’i bëjë të gjitha përpjekjet për t’i adresuar të gjitha rekomandimet e dhëna dhe shtoi se aktualisht 95 për qind të rekomandimeve janë përfunduar.
“Ne menjëherë patëm ndërmarrë hapa dhe kemi realizuar një Plan të Veprimit për disa rekomandime, të cilat janë edhe në favor të kompanisë. Sa i përket subvencionit nga Qeveria, KEK-u është munduar që këtë subvencion ta shpenzojë në mënyrën më të mirë dhe sa më ekonomike. Këtë e ka vërtetuar edhe Auditori Gjeneral”, theksoi Gjukaj, duke përmendur edhe ndryshimet buxhetore që patën ndodhur gjatë vitit të kaluar. “Pjesën e mbetur të parave jemi munduar që ta ruajmë për pjesën më të vështirë të vitit, sezonin dimëror, meqë shpenzimet e energjisë elektrike janë më të shumta”, tha Gjukaj. Mes tjerash ai shtoi se viti 2011 është krejtësisht ndryshe nga vitit i kaluar, meqë tani kemi arritur që me kohë t’i kryejmë të gjitha obligimet, theksoi drejtori menaxhues i KEK-ut, Arben Gjukaj.